Kolumnist

Nuk kemi nevojë për patriotizëm kafehanesh - Nga Enver Robelli

I qëndroj mendimit se partitë kosovare duhet t’i kryejnë punët e tyre në Kosovë, për çka kanë marrë vota. Por edhe partitë në Shqipëri, sidomos kur janë në pushtet, duhet të braktisin praktikat e deritanishme të ndërhyrjes konfliktuale në Kosovë.

Në vitet 90-të një president demokrat i Shqipërisë sugjeronte që Kosova duhet të pranojë një autonomi brenda hapësirës demokratike jugosllave. Një kryeministër socialist thoshte se ideja e pavarësisë së Kosovës nuk është moderne dhe nuk përputhet me projektin e Europës së bashkuar.

Kryeministri i tanishëm dhe me gjasë i ardhshëm erdhi në Prishtinë dhe në 10-vjetorin e pavarësisë papritmas foli për një president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa Kosova ende nuk e ka konsoliduar shtetësinë plotësisht, andaj deklarata të tilla janë të dëmshme dhe të panevojshme.

Para disa vitesh një president i Kosovës i ankohej Ambasadës amerikane se kryeministri shqiptar (jo ky i tanishmi) po përzihej në Kosovë. Me një fjalë: pushteti i ri në Shqipëri ka mjaft punë për të kryer nga Veriu në Jug, pikësëpari për të tejkaluar polarizimin ekstrem politik. Edhe pushteti i ri në Kosovë ka mjaft punë për të kryer këndej mes Liqenit të Ujmanit dhe Kaçanikut, mes Gjakovës e Gjilanit.

Keqpërdorimi i sentimenteve nacionale për politika ditore është kundërproduktiv. Asnjëra palë s’ka nevojë t’i mësojë palës tjetër leksione patriotike. Sepse na shkoi një çerekshekull me këso leksionesh dhe polemikash, e ende - edhe në vitin 2021 - mijëra shqiptarë kanë vetëm një ëndërr: të ikin nga vendet e tyre.

Patriotizmit të praktikuar deri më tani i vjen një duhmë e rëndë myku, krimi e korrupsioni. Kosova e Shqipëria e gjejnë rrugën e mbarësisë kur pushtetet kryejnë ndonjë punë të hairit. S’kemi nevojë për patriotizëm kafehanesh dhe eksporte problemesh.

©Enver Robelli