Kolumnist

Sistemi i qeverisjes ka dalë nga fiqiri - Nga Artan Fuga

Mbledhja e Kuvendit të Shqipërisë në një seancë të zakonshme, vazhdimi normal i punëve të këtij institucioni anormal, pasi ke ftuar që shqiptarët të votojnë për deputetë të rinj është një tallje me ne qytetarët, një turp i paparë, një estradë, një karagjozllëk i nivelit më mediokër që nuk e ka parë kurrë Shqipëria dhe Bota!

Sistemi i qeverisjes ka dalë nga fiqiri!

Logjikisht kur shqiptarët kanë votuar për të tjerë deputetë, ky Kuvend i turpit nuk mund të mbajë sovranitetin tonë. Ku janë gjoja ekspertët e Kushtetutës?

Por ky Kuvend i keqpërdorur deri në palcë këtë fat do të kishte. Por çfarë faji kemi ne qytetarët?

Si nuk ka kanë turp ata që u ka mbaruar mandati logjikisht dhe përsëri shkojnë votojnë ligje?

Asnje ligj që është absurd nga ana e logjikës njerëzore nuk mund të jetë ligj i ligjshëm. Asnje ligj që bie ndesh me parimet e Kushtetutës, pra me sovranitetin e pacënuar dhe të pandashëm, nuk mund të jetë i ligjshëm.

Nuk mund të zhvillojë seancat normalisht një Kuvend pas zgjedhjeve. Seanca të jashtëzakonshme ndofta! Ndryshe i hapim rrugë çmendurisë në ligj. Ka shkolla, juridike natyraliste, formaliste, të së drejtës natyrore për këtë. Partitë nuk mund të bëjnë ligje sipas kokës së tyre!

Mirë shumica që dihet si e ka përdhosur Kuvendin, por nuk kuptoj as opozitën si nuk e denoncoi një herë deri tani këtë situatë që është krejtësisht jo kushtetuese!

Si është e mundur?

©Artan Fuga