Kolumnist

Letër publike Lulzim Bashës - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Perdja në skenën elektorale të 25 Prillit ka rënë dhe të gjithë prozhetorët janë drejtuar te Lulezim Basha. A do ta njohë opozita rezultatin e zgjedhjeve?

Presioni i faktorit ndërkombëtar (kryesisht atij amerikan) për njohjen e rezultatit është rritur, ndërsa fituesi i zgjedhjeve të gëlltitura me ndihmën maksimale të shtetit, i ofron me “dashamirësi” të kafshojë një copë të vogël nga karrota e madhe e pushtetit.

Kundërshtarët e tij brenda PD-së që prej kohësh e kanë pritur këtë moment, po e “grushtojnë” egërsisht në qoshe të ringut, ndërsa “arbitri” Berisha me heshtjen e tij, sapo ka hedhur peshqirin për ta shpëtuar Bashën nga “knockdown”. Kundërshtarët e Bashës kanë të drejtë kur i kujtojnë atij gabimet në vendimmarrje, por harojnë të ngrenë pyetjen: A u deformua rezultati i zgjedhjeve?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep PSD-ja e Tom Doshit. Ambasadorja Kim e linçoi Tomën në sytë e gjithë opinionit publik, madje iu ofroi prokurorve të SPAK, provat që organet ligjzbatuese amerikane disponojnë për të filluar çështjen penale, por prokurorët e SPAK të patronazhizuar mjaft mirë nga pushteti, nuk e vunë “ujët në zjarr”.

Ata i kishin gati “pompat e ujit”, për të shuar zjarrin që ndezën gazetarët e Lapsit me skandalin e të dhënave personale. Me këto “pompa”, ata shuan edhe denoncimet e Gazment Bardhit, duke ia lënë “dobiçin në derë” Prokurorisë së Elbasanit që kishte konflikt interesi.

Një mikja ime që punon prej 21 vitesh në Ministrinë e Brendshme, qe skandalizuar kur shkoi të votonte te “Profarma”, pasi makina me xhama të zinj kishin rrethuar qendren e votimit dhe po bënin pazaret e fundit për blerjen e votës.

Politologu anglez Steven Lukes në veprën e tij “Power”, shpjegon “three face of the power”- tre mënyrat e ushtrimit të pushtetit:

1) Fuqia vendimmarrëse, që eshtë më publike se dy të tjerat dhe përqëndrohet në preferencat e politikave dhe zbulohet përmes veprimit politik.

2) Fuqia jovendimmarrëse, që përcakton axhendën e debateve për diskutim në forumet publike “legjitime” dhe i bën çështje të caktuara, të papranueshme (p.sh., “meritat e socializmit” në USA). Ndërsa në Shqipëri si axhendë e papranueshme mund të ishte: “pasurimi i oligarkëve mediatikë”.

3) Fuqia ideologjike, që mund të lejojë dikë të ndikojë në dëshirat dhe mendimet e njerëzve, madje duke i bërë ata të duan gjëra që kundërshtojnë interesin e tyre personal (p.sh., duke shkaktuar që gratë të mbështesin një shoqëri patriarkale).

Në realitetin tonë kjo përkthehet: paraja, “thesi me miell” në këmbim të votës dhe 4 vite “zoti të dhashtë”!

I dashur Lulëzim Basha,

Ti je para një dileme, ndoshta më e madhja e jetës tënde: Të njoh rezultatin dhe me bisht në shalë të hyj në parlamentin e “Rakip-Doshit”? Apo të zgjedh rrugën e Albinit të Kurtëve të Kosovës? 

Ndryshe nga kundërshtari yt politik që është i rrahur “me vaj e me uthull”, ti je si një pemë që lulëzon dhe çel fryte të ëmbla, në një realitet euroatlantik. E ke të vështirë të lulëzosh në xhunglën e thepisur shqiptare. Je si një dre që udhëheq tufën në këtë xhungël, por, gënjehesh nga dhelpra që me “diplomaci” të tregon rrugen e shkurtër drejt “suksesit”, duke të çuar te sofra e 5 Qershorit.

Ti nuk e dije që pas “bakllavasë” konsesuale të 5 Qershorit, ustai Rama dërgoi “qorrfermanin”. Me këtë “qorrferman” ai e sakatoi Kushtetutën!

Para teje ka tre rrugë:

1) Të vazhdosh vazhdosh “luftën” në Parlament dhe të mbash edhe postin e kryetarit të opozitës duke u bërë fasadë e regjimit? Kjo do të të bënte objekt barcoletash nga sofrat televizive të pushtetit, deri te emisionet humoristike. Nga Rama ik, në Rama aman ik. Ose Zaho ik!

2) Të japësh dorëheqjen duke e vazhduar kontributin tënd shumë të vlefshëm në PD

3) Të ndjekësh rrugën e së vërtetës duke mosnjohur  rezultatin e zgjedhjeve? Nëse brenda ekipit tënd të ri nuk ke më Gjuz, Murriz e Jehnisherë, Moisi Golem e Hamza Kastriotë që shiten për pesë aspra pushtet, zgjidh rrugën e të vërtetës.

Në këtë rrugë të vështirë pema juaj politike me siguri do të çelë. Do te çelë, i nderuar Lulëzim, se ne si popull aspirojmë ëndrrën europiane. Ëndrrën e LIRISË.

Mbase e ke dëgjuar i dashur Lulëzim, se brezi im u ngjir duke brohoritur: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

©Ilir Gjini