Kolumnist

Popullit i mjafton një ditë në katër vjet - Nga Çapajev Gjokutaj

Pjesa më e qetë e procesit zgjedhor ishte 25 Prilli, dita kur në skenë nuk qenë politikanët por qytetarët. Këta dolën e votuan me qetësi e kulturë, si për të vërtetuar se një pjesë e mirë e tensioneve dhe e konflikteve, që shoqërojnë jetën tonë, krijohen nga politikanët dhe amplifikohen nga media.

Opozita aktualisht flet për masakër elektorale. Institucionet që merren me çertifikimin e rezultateve si dhe ato që mbikqyrin zbatimin e ligjit, duhet të shqyrtojnë çdo fakt e provë dhe të ndëshkojnë këdo që ka kryer krim zgjedhor, nga cilado palë qoftë.

Ndryshe do vazhdojmë avazin që ka shoqëruar thuajse gjithë tranzicionin: një ditë flet populli e katër vjet politika lufton për politikë, më saktë lufton për pushtet.

Në pamje të parë kjo ndeshje permanente mes dy palëve të politikës ngjan sikur ndihmon demokracinë. Por e vërteta është ndryshe. Po të qe për të përmirësuar procesin zgjedhor, p.sh. rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, që dalin nga mangësitë e zgjedhjeve të shkuara, merreshin në analizë qysh në fillim të çdo legjislature dhe nuk pritej fundi, kur në nxitim e rrëmujë mund t’ia hedhësh kundérshtarit, paçka se sistemit ia vë sytë më lart seç i kish.

Në thelb lufta retorike e shtrirë në vite i shërben vetëm oligarkisë, dmth lidershipit të dy partive, që alternojnë njera-tjetrën në pushtet, plus një grushti biznesmenësh, që bëjnë prokopi jo falë tregut, por falë lidhjeve klienteliste me pushtetin e radhës.

Dihet se në rendet oligarkike, siç është në thelb ky yni, krizat ndjekin njera tjetrën, madje kur nuk ka, shpiken e manipulohen. Politika e ka shumë më kollaj të flasë për kriza e luftë sesa për gjëra të mërzitshme si punësimi, taksat, shërbimi shëndetësor, ai arsimor e halle të tjera të qytetarëve. Në analizë të fundit, popullit i mjafton një ditë në katër vjet!

©Çapajev Gjokutaj