Peter Handke dhe kriminelët Mlladiç e Karaxhiç - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Më 2019 shkrimtari austriak Peter Handke fitoi çmimin Nobel për Letërsi. Komiteti i Nobelit mbase nuk i ka ndarë këtë çmim asnjë autori moralisht më të ndotur se Handke. Ka vite që Handke hapur simpatizon me kriminelët më të mëdhenj të luftës të palës serbe. E ka vizituar Sllobodan Millosheviçin në burgun e Hagës, pastaj ka marrë pjesë në varrimin e tij në Serbi. Është tallur me viktimat e gjenocidit serb në Srebrenicë. Nuk ka gjetur asnjë fjalë respekti për viktimat sebre në Bosnjën lindore, e veçanërisht në Vishegrad.
Tani, për herë të parë pasi u nderua me Nobel, Handke ka vizituar sërish “viset serbe” - të ashtuquajturën Republika Srpska të Bosnjës dhe Republikën e Serbisë. Në Banjalula, kryeqytetin e serbëve të Bosnjës, Handke pranoi një çmim të cilin më parë e kanë marrë Ratko Mlladiçi dhe Radovan Karaxhiçi, të dy të dënuar përjetësisht me burg për krime të luftës. Këtë çmim Handke e pranoi nga kryeministrja e Republikës serbe, ndërsa në ceremoni mori pjesë edhe kreu i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, i cili e mohon gjenocidin në Srebrenicë.
Në Vishegrad Handke pranoi çmimin Ivo Andriç, ndërsa në Beograd nga duart e presidentit serb Aleksandar Vuçiç mori një çmim që bart emrin e mbretit Karagjorgje. Për këtë pelegrinazh të Handkes në “viset serbe” raportoi me ton kritik gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Tani Handke është kundërpërgjigjur me një letër, të cilën e botoi “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Në letër Handke thotë se ishte befasuar nga çmimet që kishte marrë në Banjaluka dhe Beograd, sepse, gjoja, nuk dinte se do të nderohej me këto çmime. Në letër nuk i përmend fare çmimet në mënyrë eksplicite dhe nuk tregon asnjë shenjë pendese që para tij laureatë të çmimit kanë qenë edhe Mlladiçi dhe Karaxhiçi. Duket se Handke ndihet mirë në këtë shoqëri me kriminelë lufte.
©Enver Robelli










