Zgjedhjet pa zgjidhje në Partinë Demokratike - Nga Ilir Gjini
Gara në Partinë Demokratike sapo ka nisur, ndërsa për shanset në këtë "betejë" të pabarabartë, ka menduar kryetari aktual Basha. Për ti mbytur zërat kundër, duke mos u dhënë kohë as të marrin frymë e jo më të bëjnë fushatë, Basha i afroi zgjedhjet në 13 Qershor. Pra, as tre javë kohë për 61 Bashki.
Demokratët, që për 8 vite prisnin me ankth që edhe "pema" e kryetarit Lulzim Basha të çelte lulet e pushtetit, u zhgënjyen sërish. Megjithëse pranvera në Shqipëri është stina e lulëzimit, për PD-në dhe Bashën, 25 Prilli rezultoi dimër. I rritur në serën politike të liderit historik Berisha, kryetari aktual i PD-së, duket se e ka mision të pamundur mposhtjen e Ramës.
Për hir të së vërtetës, në zgjedhjet e 25 Prillit, Basha nuk kishte përballë PS-në e Ramës, por të gjithë makinerinë shtetërore të grasatur mirë me paratë e PPP-ve pa tendera, Policinë e Shtetit dhe atë të medimit, që nuk quhet më si dikur Sigurimi i Shetit. Sot është pagëzuar me titullin e lartë "patronazhist".
Por, kundërshtarët e tij brenda partisë, i kujtojnë Bashës edhe gabimet e tij që nuk janë të pakta. Nga braktisja e tryezës së ndarjes territoriale, te braktisja e Parlamentit dhe e zgjedhjeve. Nga braktisja e çadrës së lirisë, te futja nën çadrën qeverisëse të Edi Ramës. Gabime këto, që i kanë kushtuar shumë Partisë Demokratike. Për të gjitha këto, Basha jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por ka përjashtuar nga vendimarrja çdo zë që i ka dalë kundër.
Qëndrimi i tij i dyzuar mes rrugës radikale dhe djalit të bindur ndaj Ambasadorëve, e ka shndërruar atë në një kryetar mizantrop, që kurrë nuk u formatua në përmasat e një lideri. Ky dyzim i Bashës, u duk qartë teksa pas vendimit ekstrem të djegies së mandateve, në vend të protestave të pandërprera në kohë deri në rrëzimin e Ramës, ai i mbyllte ato pas një telefonate që merrte nga Ambasada e Rrugës së Elbasanit. Të njëjtin qëndrim as mish as peshk, mban edhe tani kur mijëra demokratë votëvjedhur, janë gati të shpërthejnë në protesta.
E ndërsa Basha mendon për të çimentuar këmbët e thyera të karriges së kryetarit, tentakulat e pushtetit vazhdojnë të gllabërojnë atë çka ka mbetur jashtë gardhit të tyre. AMA dhe Këshilli Drejtues i RTSH-së, janë fitoret e radhës të oktapodit qeverisës. Është hera e parë që edhe ish-kryetari i PD-së që demokratët e pagëzuan lider, Sali Berisha, beson se ka bërë zgjedhjen e gabuar.
Në momentin e tij më të vështirë Basha e ka braktisur. E ka braktisur, se nuk mund të thotë atë që ndjen: Jo, ne nuk e braktisim Berishën derisa një gjykatë të shprehet për fajësinë e tij. Jo, ne nuk do ta njohim si të ligjshme qeverinë Rama, pasi zgjedhjet u vodhën.
E keqja është se edhe tre kandidatët përballë Bashës, nuk janë të qartë në rrugën që PD-ja duhet të ndjekë. Për Agron Shehajn që është rival i tij kryesor "zgjedhjet u njohën dhe ne si PD nuk kemi çtë bëjmë"?! Edhe pse një figurë me cilësi shumë pozitive të një personi që mund të kapë majat e suksesit falë talentit dhe aftësive, Agron Shehaj në politikë tregon se është një lojtar diletant. Nuk mund të pretendosh suksesin e opozitës duke thëne se ne do hyjmë në parlament, sepse ndërkombëtarët i njohën zgjedhjet. Edhe fëmijës po nuk qau, nuk i japin për të pirë gji - thotë populli.
Opozita, sigurisht që nuk e ka më "luksin" e djegies së mandateve, por duhet të ndërthurë veprimin opozitar në parlament dhe në rrugë, për të kundërshtuar maskaradën e 25 Prillit. Opozita duhet të përdorë çdo mjet dhe forum ndërkombëtar, për të denoncuar vjedhjet e zgjedhjeve. Gara e brendshme, nuk duhet ta pengojë opozitën të mbushë sheshet e protestave për votën e vjedhur. Nuk ka dhunim më të rëndë të dinjitetit njerëzor, sesa vjedhja e votës.
Por fatkeqësisht, të katër rivalët në garë për karrigen e kryetarit, më shumë mendojnë për kryetarllëkun, sesa për mbështetësit e tyre që janë mes katër rrugëve. Demokratët e thjeshtë tani do ti nënshtrohen regjimit duke jetuar si qytetarë të dorës së dytë, ndërsa më të rinjtë kanë bërë gati valixhet. Shqipëria do vazhdojë të shpopullohet frikshëm.
Zgjedhjet e brendshme të PD-së, janë zgjedhje pa zgjidhje. Pse? Sepse rezultati është vendosur që më parë. Kushtet e garës janë të pabarabarta për sfidantët e Bashës. Ai do vazhdojë të "lulëzojë" në garën pa garë për kryetar, ndërsa do të vyshket në garën reale për të qenë lider. Një nga përkrahësit e tij që ka çelësat e numëruesit të votave, thuri për kurorëzimin e tretë të Bashës në opozitë vargjet:
"O PD, parti e bukur, që ke nam mbi lule shumë, mijëra vjet behar të bëjë, ti nuk gjen bilbil (kryetar) si unë"!
©Ilir Gjini












