Kolumnist

Mbi zgjedhjet e vjedhura, liderët dhe zgjedhjet në PD - Nga Taulant Dedja

U nxita për këtë shënim nga këmbimi i mendimeve me një mikun tim rreth një shkrimi për zgjedhjet në PD. Që në krye të herës e them që më revolton fakti që nga zgjedhjet e vjedhura sot fokusi i debatit është thuajse totalisht i përqëndruar tek zgjedhjet e brendshme në PD. Normal mund të më thotë cilido, sepse është kjo parti që do përballet me regjimin dhe kryepatronazhistin e brendshëm dhe ata të jashtëm.

Nuk kam kurrsesi për qëllim të debatoj me ata që sot anatemojnë Bashën. As të marr në mbrojtje Bashën. Më saktë, u nxita për të reflektuar nga shprehja "filani është lider i lindur" dhe nga një cilësim për Bashën "sleepy Luli". Normal perceptimet janë të ndryshme, çka përkthehet në preferencë që mund të ndryshojë në varësi te kontekstit apo rrethanave.

Une preferoj të ndalem vetëm te epiteti lider. Lidera të lindur sigurisht ka plot. Lider (shef, kapo, bos, kryetar) i mëhallës apo i lagjes. Lider fshati apo edhe krahine. Lider skuadre sporti. Lider kompanie biznesi. Lista bëhet e gjatë deri te lider mazhorance apo opozite. Kur vjen puna tek liderët politikë të partive kandidate për marrjen e pushtetit. sigurisht analiza komplikohet. Boll të mendosh që preferencat individuale mund të jenë derivat i njëmijë e një arsyeve.

Le të marrim një shembull krahasimi sërish me Bashën si lider de Jure i të Djathtës dhe opozitës, të paktën deri ditën e përfundimit të zgjedhjeve në PD. Basha nuk ka të kaluar komuniste për shkak edhe të moshës. Në ketë aspekt, pra pa të kaluar komuniste, në krahun përballë, atij i korrespondon Erion Veliaj (kryebetonisti i Tiramës), i cili pa mbështetjen e Ramës do ishte askushi. Njëlloj besoj edhe për Bashën pa mbështetjen e Dr. Berishës. Duke e mbyllur këtë pjesë, po lë gjithësecilin ta bëjë krahasimin mes investimit të Ramës me investimin e Dr. Berishës.

Tani të kthehemi te çështja e liderave të lindur, apo të formuar si të tillë gradualisht. Në rastin e një partie politike, që të konfirmohesh apo rikonfirmohesh si i tillë, procesi është kompleks. Është mbi të gjitha derivat i rregullave të brendshme të secilës forcë politike por edhe i balancës mes grupimeve brenda forumeve vendimmarrëse (natyrisht edhe i momentit historik).

Në fund konfirmohet apo rikonfirmohet ai që arrin të marrë mbështetjen më të madhe prej tyre. Më konkretisht, në krye të PD në përfundim të procesit do jetë ai person që do mbështetet nga shumica e anëtarëve të thjeshtë, shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë, si dhe shumica e grupit të deputetëve. Në fund, kur të konfirmohet emri, diskutimi mbyllet sepse rezultati është rrjedhojë e vullnetit të shumicës.

Paskëtaj, cilido dhe të gjithë bashkë, përfshi edhe të pakënaqurit apo të larguarit, do jenë perpara sfidës të kontribuojnë realisht në PD dhe opozitë për përmbysjen e regjimit. Nëse të larguarit (që mezi mblodhën një grusht votash) nuk pozicionohen në krah të PD, u mbetet të konfirmohen në dritë të diellit si shërbëtorë me pagesë ose me favore të regjimit. Deri në përmbysjen e regjimit rrugë të mesme nuk ka.

Sipas meje, cilido qoftë emri i kryetarit të PD, njolla e zezë e zgjedhjeve të 25 Prillit është aty dhe mund të fshihet vetëm me zgjedhje të ndershme të parakohshme, pasi të korrigjohen të gjitha difektet e sistemit aktual të imponuar në mënyrë të njëanshme. Sigurisht zgjedhjet e parakohshme nuk mund të pranohet të bëhen me kryeministër Edi Ramën! Shtatori do ia vlente ta gjente opozitën në Parlament për të dialoguar ndryshimet e sistemit, pasi t’i ketë mbushur sheshet e Shqipërisë me popullin opozitar për të protestuar kundër regjimit në javët që paraprijnë stinën parlamentare. Nëse populli opozitar dhe opozita do bëjnë vetëm pushime gjatë Verës, ne e meritojmë plotësisht regjimin!

©Taulant Dedja