Kolumnist

Shkollat rezidenciale, gjenocid kulturor - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Toronto

Një tjetër vend-varrim i përbashkët me mbetjet trupore të 751 njerëzve të paidentifikuar u gjet këtë javë pranë një ish-shkolle rezidenciale në pjesën jugore të Saskatchewan-it. Mendohet që shumica e viktimave të jenë fëmijë indigjenë, duke iu shtuar atyre 215 trupave të paidentifikuar që u gjetën para një muaji në Shkollën Rezidenciale të Kamloops, në British Columbia.

Diku rreth vitit 1883 fëmijët indigjenë nga shumë pjesë të Kanadasë ishin të detyruar të ndiqnin shkollat rezidenciale si pjesë e një program asimilimi. Në kërkimi të një “zgjidhjeje përfundimtare” (final solution) të problemit të aborigjinalëve, kryeministri i parë i vendit të krijuar në 1867, John A. Macdonald udhëzonte asimilimin e tyre të plotë me çdo kusht dhe nxiste krijimin e shkollave rezidenciale. Shkollat rezidenciale janë institucione arsimimi ku fëmija është i detyruar të jetojë larg prindërve. Qeveria e parë kanadeze bashkëpunoi me kishat, kryesisht atë Katolike, për ngritjen e një sistemi që do të realizonte zhdukjen e plotë të vetëdijes etnike, kulturore, gjuhësore dhe fetare të brezave të tërë të vendasve të Kanadasë, deri në zhdukjen e plotë të çdo identiteti.

“Po t’ua lësh shkollat në rezervate,” shkruante Macdonald, “fëmijët do të vazhdojnë të jetojnë me prindërit, që janë njerëz të egër dhe, pavarësisht se do të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë, zakonet dhe mënyra se si edukohen do vazhdojë të mbetet indiane. Pra do të mbeten njerëz të egër që dinë të shkruajnë dhe të lexojnë. Si kryetar i Departamentit, mua më është krijuar bindja që fëmijët indianë duhen larguar sa më shumë të jetë e mundur nga ndikimi i prindërve, dhe e vetmja mënyrë për ta kryer këtë është t’i dërgosh në shkolla industriale me program të përqëndruar ku të jenë të detyruar të mësojnë zakonet dhe mënyrën e jetesës të të bardhëve.”

Kjo ishte baza ideologjike e Shkollave Rezidenciale, të financuara nga Qeveria dhe të administruara nga Kisha. Ato u kthyen praktikisht në kampe përqëndrimi ku nuk kanë munguar as torturat, as eksperimentet mjekësore.

Në vitin 2008, pasi kishte kërkuar formalisht falje për këtë njollë të shëmtuar në historinë e vendit, qeveria kanadeze ngriti Komisionin e të Vërtetës dhe të Pajtimit për të hetuar, ndër të tjera, edhe Shkollat Rezidenciale. Komisioni e përcaktoi sistemin e shkollave rezidenciale si “gjenocid kulturor”. Llogaritet që nga të kenë vdekur 4500 deri në 10000 fëmijë, nga mëse 150,000 që kanë qënë të detyruar të ndjekin shkollat rezidenciale duke u larguar me forcë nga prindërit e tyre që në moshën 6 vjeçare. Shumë të tjerë vuajtën dhe vazhdojnë të vuajnë për gjithë jetën pasojat e abuzimeve fizike, mendore dhe seksuale.

Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit i ka kërkuar edhe Papës që të ndjekë shembullin e qeverisë kanadeze dhe të kërkojë falje për rolin e Kishës Katolike në tragjedinë e shkollave rezidenciale, por Vatikani ende nuk ka pranuar ta ndërmarrë këtë hap.

©Arben Kallamata

 

Shënim!

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart butonin “donate”. Faleminderit!

*Gjithashtu nëse dëshironi të bëheni pjesë e rubrikave tona, na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..