Kolumnist

Chicago dhe Vidovdani - Nga Enver Robelli

 Enver Robelli - Zvicër

Lori Elain Lightfoot është kryetare e Chicagos, juriste dhe i përket Partisë Demokratike të presidentit Joe Biden. Këtë javë Lightfoot ka marrë vendim që 28 Qershori të shpallet “Dita e Vidovdanit” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Chicago-s ta festojnë këtë festë serbe.

Në një postim në Twitter Lightfoot shkroi se Chicago ka njërin prej komuniteteve më të mëdha serbe, andaj, shtoi ajo, “jemi të entuziazmuar të përkrahim këtë festë të rëndësishme”. Vidovdani, sipas Lightfoot, kremton “rezistencën dhe qëndrueshmërinë e një populli të mposhtur, i cili synon lirinë, dinjitetin dhe barazinë - ideale këto universale, të cilat na inspirojnë deri më sot”.

Kush e ka menduar se 32 vjet pas fjalimit luftënxitës të Sllobodan Millosheviçit në Gazimestan dhe 30 vjet pas fillimit të agresionit serb kundër popujve të Jugosllavisë së atëhershme, një qytet amerikan do të pranojë si festë një karnaval propagandistik serb. Ky vendim i kryetares së Chicagos është tepër shqetësues dhe tregon një tendencë për revizionimin e historisë.

Duket se lobi shqiptar në SHBA dhe dy shtetet e qeverisura nga shqiptarët në Ballkan (Kosova dhe Shqipëria) nuk e kanë ndikimin e dikurshëm në establishmentin amerikan për të penguar zhvillime të tilla.

©Enver Robelli