Kolumnist

Edhe një herë për vendimet e Gjykatës Kushtetuese - Nga Ylli Manjani

Gjykata Kushtetuese ka për mision të disiplinojnë marrëdhënien ndërmjet politikanëve të përgjegjshëm me shoqërinë ku jetojnë dhe jo të izolojnë gangsterët. Këta të fundit izolohen nga gjykata penale.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kur i lexojnë e interpretojnë gangsterët politikë, janë pa vlerë për fat të keq. Zakonisht gangsterët thonë “gjykata foli, por ne vazhdojmë punën”; “ne na voton shumica, jo gjykata”; “kështu ka ndodhur edhe në filan vend e me fistek politikan”; “për këtë bëhen dhe filma”; “ne jemi të vendosur në rrugën tonë…”; “ata që protestojnë e denoncojnë janë budallenj” e të tjera fjali si këto.

Këto janë fjalët e gangsterëve politikë. Dhe këtu Gjykata Kushtetuese ska ç’bën. Gjykata nuk është as komisariat policie, as zyrë përmbarimi, as KQZ, as KKT e aq më pak është ndërmarrje ndërtim-shembjesh.

Nga ana tjetër, politikani i përgjegjshëm do duhej t’i lexonte pak a shumë kështu vendimet e Gjykatës Kushtetuese:

1. Për Ligjin e zgjedhjeve: Gjykata na dha një mundësi për të kryer një reformë të thellë e të vërtetë të sistemit përfaqësues politik në vend. Ndaj duhet të fillojmë nga puna konsensualisht për një gjë të tillë.

2. Për Teatrin: Gjykata na ndihmoi të ndërtojmë një marrëdhënie të re me shoqërinë e cila ka ndjeshmëri jë të vogla. Ndaj le të fillojmë punën për të rikthyer Teatrin në projektin origjinal si pjesë të trashëgimisë kombëtare.

3. Për dekretet e Presidentit: Gjykata na dha një dimension të ri në çështjen e zëvendësimit të ministrave. Marrëdhëniet me Presidentin nuk janë një copë letër me firmë, por mbi të gjitha komunikim institucional.

4. Për Policinë: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një sinjal i fortë për të vendosur njëherë e mirë që shërbimet policore janë e duhet të jenë nën varësinë profesionale dhe mbikëqyrjen ligjore të organeve të drejtësisë.

Ky duhej të ishte leximi i përgjegjshëm i vendimeve!

Dallim i madh me gangsterët, apo jo?

©Flasshqip.ca