Boll me Lushnjen, përgjegjësitë janë personale! - Nga Ilir Levonja
Asgjë nuk më dhëmb më shumë se sa kur shoh skupe shtypi me qytetin tim. Në historikun e tij nga një gojëdhanë me çezmën në periferi, tek kuvendi i dimrit 1920, ku u hodhën themelet e një shteti me pjesëmarrje kolegjiale, dmth për demokracinë, e deri më sot, askush tjetër nuk e ka dëmtuar më rëndshëm se sa politika. Në diktaturë e populluan me armiqtë e klasës. Nga Veriu në Jug, fusha e Myzeqesë u mbush me fshatra të izoluar, banorët e të cilëve ishin armiq të partisë dhe popullit. U bë vendi i të internuarve, por edhe hambar i prodhimeve bujqësore.
Cili qe dënimi këtu nga politika e kohës? Ironia që pikërisht atyre, bujqërve, sidomos nga Darsia, për çdo dimër u ndalohej buka e grurit dhe kishin privilegj “tullat” e thata të misrit plot krunde. Dikush mund të thotë që e kanë dëmtuar edhe bandat, por edhe ato ishin produkte të politikës. Madje asaj politike që jep shenja akoma me mllef, barbari, aq sa kultura e ideve dhe e traditës ka marrë fund.
Ka një mllef të ndërsjelltë sa e shumta e qyteteve nuk kanë më qytetarë, por militantë. Lagjet janë të shënjuara në të kuqe, në blu, gri etj. Kafenetë e qosheve po ashtu. Mos shko aty, se atje vetëm kriptot mblidhen. Mos bli tek ai se është qen i këtij apo atij. Një barrë me kulturë ka tjetri, burri në moshë, profesori i thinjur, por flet me gjuhën e një militanti të thekur partie. Domosdo e nesërmja, që është kjo e sotshmja, nuk ka se si të prodhojë demokraci, por grupe me protokolle të qarta mbi kulturën e rryshfetit, përqindjet e tenderimeve, shtëpitë extra në buzë të detit, vendet e punës me diploma fallco, “meritokracia” puro një shkërdhatokraci që ka ndarë gjakun nga gjaku.
Një socialist nuk e sheh të pijë një kafe me një demokrat. Do shenjohen me gisht. Do kërcënohen me vendin e punës. Tenderimet nuk janë vetëm përqindje fitimi, janë edhe pistoleta tek koka apo bomba poshtë makinave. Rrëmbime, a marrje peng. Kësisoj edhe dekoratat. Mos prit më për të tjera. Është kjo një nga arsyet që brezi i ri ka mbushur parcelat e varreve dhe lufta për territore sot është prezente thuajse në gjithë qytetet e Shqipërisë. Kësisoj mos prisni ujë 24 orë, as rrugë të shtruara, as vende të reja pune, as paga normale.
Në këto 30 vjet demokraci, kur ngec në rrjetë një merimangë e djathtë, çirren të majtët. Kur ngec një merimangë e majtë, heshtin të majtët dhe çirren të djathtët. Korrupsioni, vjedhja, zhvatja, nuk ka ngjyrë, ka vetëm metastaza se është kancer për të dyja palët. Kështu që edhe ky rasti me kryebashkiakun e Lushnjes nuk bën përjashtim. Eshtë produkt i kohës që po hamë njëri-tjetrin.
Mua më dhimbset vetëm për një gjë, emri i qytetit tim. Vendi i atyre njerëzve të cilëve u ka humbur pesha e fjalës. Ka një batalion me intelektualë por janë të nëmur të gjithë. Dominon militanti, madje dhe i deleguari nga lart. Mungon kolegjialiteti. Sot Lushnja dhe shumë qytete të tjera në vend, nuk përfaqësohen nga njerëzit e tyre, por nga të deleguarit. Që këtu fillon politika anti-truall, anti-traditë, anti-kulturë. Ta dini mirë se në ato tenderime ka gisht e pjesë edhe nga këta të deleguarit nga lart.
Pastaj si është e mundur bash aty në Lushnjen time? Jo në Elbasan, jo në Durrës? Madje ndërsa me lushnjarin tim Edi Rama u distancua pa kaluar as 5 minuta nga skupi në internet me atë të Durrësit jo. Bile, bile e mori në mbrojtje, tha që, nuk më duhet mendimi i Amerikës, e kam mik Gjushin. Dua t'i them edhe atij panelisti majtist, përse nuk i nxjerr të njëjtat argumenta kur mbronte Gjushin apo kur denigronte non-grata-n e një ish-kryeministri shqiptar edhe për kryebashkiakun e Lushnjes? Është fare e thjeshtë. Shkërdhatokracia e kohës në emër të partisë me piketimet për listën e armikut të klasës. Po ky panelist i majtë nuk mund ta bëjë. Nuk do ngiste më makinë X5 apo Porsche me porosi.
Boll me Lushnjen, përgjegjësitë janë personale!
©Ilir Levonja












