Cinizmi përtej fasadës së Europianit të futbollit - Nga Enver Robelli
Kampionatit Europian të Futbollit po i vjen fundi. Çfarë mësuam nga ky turne?
Përtej lojës dhe lojërave mësuam se Europa po ndotet nga fuqitë me shumë para, pra nga shtetet pa demokraci që qeverisen me kërbaç.
Blini gaz rus (na thonë reklamat e Gazpromit rus), fluturoni me Qatar Airways (na thotë reklama nga diktatura e sheriatit), paguani me Alipay (na thonë kinezët nga diktatura e kuqe). E Europa, ku është?
UEFA përçon këtë mesazh: kampionatin e organizojmë në Europë (dhe pak përtej), por s’kemi problem që në mënyrë simbolike të reklamojmë regjimet regresive.
Europa? Cila? Ajo e Angela Merkelit dhe Emmanuel Macronit që ia ka hequr vizat republikave post-sovjetike të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, ndërsa Kosovën e mban në karantinë schengeniane? Vlerat europiane?
Ta lëmë këtë cinizëm konferencash! Prej kur Ukraina dhe Gjeorgjia, të sunduara nga grupe oligarkësh e kriminelësh, na qenkan shtete më të arrira se Kosova?
©Enver Robelli - Zyrih, Zvicër












