Kolumnist

Deforma nuk quhet reformë - Nga Ylli Manjani

Nuk ka reformë që zgjat. Përndryshe nuk quhet reformë. Kaluan 5 vjet dhe ende nuk i duket fundi.

Në asnjë përkufizim koncepti, libër apo leksion menaxhimi nuk e quan dot reformë në veprimtari të tillë. Reformë quhet një transformim i menjëhershëm përmirësues i sjelljes apo veprimtarisë së një institucioni. Por 5 vite, plus nuk dihet se sa vite të tjera, nuk ka lidhje me fjalën “menjëhershëm”.  Aq më pak vakumet e tmerrshme në gjykata e prokurori të quhen përmirësim.

Mund ta quash sistem, regjim por jo reformë.  Enver Hoxha, fjala vjen, sundoi me plane 5 vjeçare… Kjo që u bë ishte një deformim, jo reformim. Ishte dhe mbeti një veprimtari politike që goditi persona jo fenomene.  U konceptua kështu dhe ashtu u zbatua.

Kjo është një deformë që po krijon një kastë gjykatësish e prokurorësh që veprojnë nën presion dhe jo të pavarur.  Nëse kjo deformë diplomatikisht quhet sukses, le të guxojnë këta diplomatë, që shesin sukses në mediat tona, ta prezantojnë në vendet nga ata vijnë. Na hapën barkun me histori virtuale suksesi.

E kuptoj që ata avokatojnë disa miliona dollarë që shitet si ndihmë, por mund të jenë njëkohësisht edhe avokatë të miliona njerëzve në Shqipëri që duan e presin drejtësi.

Dështimi nuk mund të shitet pafundësisht si sukses. Deforma nuk quhet dot reformë. Dhe të mos pranosh deformën është qytetari. Me sa dimë edhe në Perëndim kështu quhet: qytetari.

Ndaj nuk më plas fare për arsyetimin idiot se kush na qenka kundër kësa mrekullie, qenka edhe kundër Perëndimit.  Nuk më plas sepse është spekulim me idenë e Perëndimit dhe të Demokracisë.

Vijoj të mbetem i bindur se Shqipërinë e do më shumë shqiptari, sado kriminel të jetë.

****

Nejse, se po u japim më shumë vemendje ambasadorëve sesa punëve tona. Unë nuk jam që opozita të japë konsensus për t’i zgjatur jetën kësaj deforme. Jo pa bërë më parë një vlerësim të plotë e të detajuar përse vendimi konsensual i para 5 viteve u shndërrua në deformimin e dytë më të rëndë në historinë e shtetit tonë, pas drejtësisë dhe shtetit komunist.

©Ylli Manjani