Kolumnist

Një tragjedi që mund të shmangej - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

10 të vdekur. 10 njerëz që po gëzoheshin që pas një kohe të gjatë për shkak të pandemisë do të përqafonin më të afërmit e tyre në Kosovë. Dhjetëra të tjerë të lënduar kryesisht rëndë.

Kjo tragjedi mund të shmangej sikur agjencitë e udhëtimeve të ishin të përgjegjshme. Dhe sikur autoritetet t'i kontrollonin këto agjenci nëse janë duke respektuar oraret e punës së shoferëve.

Një shofer autobusi nuk guxon të drejtojë automjetin më shumë se 9 orë. Udhëtimi me autobus nga Gjermania apo Zvicra në Kosovë zgjat më shumë se 20 orë. Dy shoferë nuk mjaftojnë. Duhet të jenë së paku tre.

Aspak befasi që shoferi i autobusit të aksidentuar në Kroaci ka pranuar se për një moment e ka zënë gjumi. Po, pra, një moment mjafton për t'ua marrë jetën 10 njerëzve. Ngarendja brutale për të fituar sa më shumë në një ambient të konkurrencës së pamëshirshme, e ka një çmim. Ky çmim përfundon me gjakderdhje.

Kjo është fatura. Ngushëllime familjeve. Autoritetet e Kosovës i pret një punë e madhe për të vendosur rend në biznesin e transportit të mërgimtarëve. Kjo vlen edhe për fluturimet. Edhe aty ka kompani të dyshimta nga vende që nuk janë të njohura për standarde të larta të sigurisë.

Duhet të veprohet para se të ndodhë ndonjë tragjedi e radhës edhe në ajër!

©Enver Robelli