Kolumnist

Arsyeja pse Kosova fiton medalje ari - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Pashë një derruc që habitet se pse Shqipëria nuk fiton medalje ari. Ka kaq vjet shtet e më the apo të thashë. Kurse Kosova, shtet fare i ri, fiton medalje ari, madje duke mundur edhe shtete si Japonia apo Franca.

Eshtë fare e thjeshtë o derruc. Në Kosovë fitojnë medalje ari sepse Kosova financon sportistët, madje me strategji. Por edhe në mos shteti, qytetaria e tyre pro perëndimore, pro patriote etj. Duke përfshirë këtu edhe hapjen e mendjes në lidhje me larminë apo sportet e vështira.

Se jemi akoma me mendësinë që pushka është vetëm për burrat o ti derruc. Mezi po krijojmë kampionatin e futbollit për femra. Se topi është vetëm për burrat, apo jo? Jo më, t'u ofrojmë vajzave tona xhudizmin apo karatenë. Mbaj mend se edhe ato pak klasa gjimnastësh që kishim dikur, i degdisëm Europës. Kurse atyre pak mësuesve, u lamë veç një kostum sportiv nga tekstili i Tiranës.

Ofron më shumë shance Kosova si shtet dhe shoqëri ndaj edhe talenti triumfon. Kurse Shqipëria nuk financon sportet, apo sportistët. E kap tjetri nga fyti sportin dhe nuk e lëshon për njëqind vjet. Madje dhe kur do bëhen zgjedhjet e shefave, ato o do shtyhen tridhjetë herë, o do rrihen, o do votohet 99.99% pro zaptuesit, o hiç.

Pra Shqipëria jonë derruc financon jo sportistët, por vipat. I financon me paga mbi pagë, me poste të sajuara si këshilltarë pranë kryetarëve të bashkive. Deri specialistë në ato pak ndërrmarrje të shtetit si Ujësjellsi apo Elektriku, Arsimi etj. Financon analistët e studiove, ata që janë njëqindkaratsh, o pro Ramës, o pro Metës, o pro Lulit, po kurrë pro vendit, se sportit jo e jo.

I qasen ndonjë emri që po bën karrierë diku në botë, por edhe atij për modë, për t’u dukur klasë e lartë, madje për ta përdorur në murin e Fejsbukut a Instagramit. Siç edhe po bëni tani o derruca me emrat e Distrias dhe Norës. Se nuk hap dot qoftë Fejsbukun, qoftë Instagramin, qoftë Tuiterin se të çani menderen me këto lavdërime bajate karshi Distrias apo Norës.

Sikur dje, një nga këto t'u kishte trokitur në derë për ndihmë, që t'i siguronit kushte stërvitjeje më të mira, do i kishit treguar malet.

Një sportist i peshave të rënda në Shkodër, pak ditë më parë, kërkonte përmes një televizioni, pak suport. Një palestër stërvitje pasi ishte liçensuar si trajner në peshëngritje. Po ju i keni fondet për kartelet e plehrave o derruca, të atyre të drogës, të atyre që gjurmojnë njerëzit në lidhje me bindjet dhe se për kë do votojnë. Nuk i keni për sportin a sportistët.

Sot nxitoni, zhurmaxhinj, ngucalaqë, derruca, Nora, Distria, Kosova... bravo, u lumtë!?

©Ilir Levonja