Kolumnist

Lulzim Basha, kërko të ribëhen zgjedhjet! - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

OSBE ka mbajtur dy ditë raportin e saj pa e publikuar, derisa e ka miratuar “kryeredaktori” i tekstit, Edi Rama.  Redaktorët në zyrat e Kryeministrisë e kanë sjellë atë në formën që Ramës i duhej.

E kanë sheqerosur deri aty, sa të dhënat e 900 mijë shqiptarëve, blerjen masive të votave dhe presionin ndaj qytetarëve nga qeveria e “Rilindjes”, ta konsiderojnë çështje teknike!?

D.m.th. çështje "teknike" ishte edhe ajo kur kryeministri i vendit u thoshte shqiptarëve se "unë jam kryepatronazhisti dhe do t'u ndjek deri në vrimën e miut"!? Kuptohet se me këtë gjuhë u drejtohej atyre që ishin kundër tij.

Çështje "teknike" ishte urdhëri që u dha mësuesve, mjekëve dhe ushtarakëve e policëve, si dhe administratës publike që të votojnë “Rilindjen”!?

Çështje "teknike" ishte shpërndarja e parave cep më cep të vendit nga “Rilindja”!?

Çështje "teknike" ishte gjithashtu për OSBE-në përdorimi i mjeteve shtetërore në fushate!? Gjithçka na qenka një çështje teknike, sipas raportit!?

Por opozita duhet ta shndërrojë në kauzë të saj hedhjen poshtë të farsës dhe masakrës zgjedhore. Nëse nuk do OSBE ta quajë këte fushatë masakër dhe ta trajtojë si çështje "teknike", atëherë duhet që këtë ta bëjë opozita shqiptare! Ta shndërrojë lëvizjen për votën e lirë në një lëvizje gjithëpopullore politike!

Mosreagimin e derisotëm të opozitës e kam mirëkuptuar vetëm për shkak të mospublikimit të këtij raporti.

Tani që raporti u publikua dhe i pohon ato që ka ngritur opozita, është detyrë e Lulzim Bashës ta udhëheqë popullin shqiptar në betejën e fundit për zgjedhje të reja. Vetëm një kërkesë duhet paraqitur: Të ribëhen zgjedhjet!

“Rilindja” do të nxisë Gjykaten Kushtetuese që në Shqipëri të bëhen zgjedhjet e parakohshme lokale, që të tërheqë vëmendjen nga zgjedhjet farsë e masakër të 25 Prillit. Opozita duhet ta pranoje kete opsion vetëm nëse në një ditë bëhen të dy palë zgjedhjet!

©Enver Bytyçi