Kolumnist

Erioni im i vogël dhe dështimi klasik i Shqipërisë - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Nuk është vendi Erioni im i vogël, por ti dhe kasta jote. Nuk është vendi, qytetari, shqiptarët a Shqipëria, por ti Erioni im. Ti dhe shpura jote. Po kujt ia thua? Po të drejtohem kësisoj se ke tagrin e zëvendëskryeministrit. Dhe të kuptoj, barrë e madhe për një trup të vogël. Gjithsesi, je Erioni im, shefi i dytë i vendit tim. Kësaj toke sa një kontinent, mbushur me kërrma, hiena, shushunja etj. Si thua? Drejtësia e këtij vendi është zero. Ama një zero e pambarimtë është edhe qeverisja e tij.

Para pak ditësh Erion Braçe ankohej për zhurmat. Po se kujt, një Zot e di. Fakti që është zëvendëskryeministër e bën bajat. Dhe ta mendosh pastaj se çfarë ndodh me një qytetar të thjeshtë kur një ndërtues i zë rrugën, hedh zhavorin aty, ngre vinçat qiellit etj. Madje mund t'i marrë edhe ndonjë copë truall pa e pyetur. Ku ta dish, edhe shtëpinë prej guri a qerpiçi të gjyshërve.

Me një fjalë kur qahet numri dy i qeverisë, që ka 8 vite dhe veç gërrvërret, nuk e di se çfarë mund të presë qytetari, nuk e di se sa i mbrojtur është ai. Tani po ankohet për Gërdecin. Eshtë padiskutim një mut muti vetëm për gjuhën që përdor. Me ca terma të tillë se kush i poqi të gjallë. I pari Fatmir Mediu dhe kasta e tij, përfshirë çunin e Berishës me falangat e Sigurimit a të Ministrisë së Brendshme si Delijorgji etj. Së dyti, sot po i vret ti. Unë nuk mund të përdorë atë terminologjinë tënde, për më tepër që në atë dhimbje njerëzore ka fëmijë kërthi.

Si nuk të vjen turp kur thua, i poqi. Dhe si nuk të vjen turp që ankohesh. Për më tepër që vjen nga fusha e gazetarisë. I futët ato familje të gjora në një luftë institucionesh, ku dihej rezultati, u keni paguar shpenzimet etj., jo për të dënuar një ish-ministër të mbrojtjes si Fatmir Mediu, por për të bërë zhurmë. Për të larë duart me shqiptarët në gjoja se sa e pafundme është lufta për të pastruar sistemin e drejtësisë. Se një apo dy mandate nuk mjaftojnë, kësisoj ju duhet i treti, i katërti, i pesti e kështu deri sa t'ju haj mortja.

Ju e dinit mirë që kjo lufta institucioneve ishte një vërrë e madhe në ujë, por u duhej për të hequr vëmendjen nga dështimi juaj. Thuajse 90% e shtypit merret me Lulin, kurse ky Lulua me raportin e OSBE-ODHIR-it. Zë fill ajo loja kancer i gjallë për shqiptarët, ku të gjithë kanë të drejtë. Të gjithë i lexojnë përfundimet si i do qejfi. Të gjithë janë fitimtarë në llojin e vet, veçse Shqipëria e humbur.

OSBE tashmë një intstitucion i dështuar derisa nuk i ndihet më tagri apo zëri. Ta mendosh se gjashtëmujorin e vitit 2020 e kryesoi Edi Rama. Na bëri qesharakë në botë se do zgjidhte konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Do ndërmjetësonte tek Llukashenko për zgjedhjet e manipuluara të po atij viti.

Pika neve, na kanë zënë trutë lesh me Edi Ramën. Merruni edhe me Eli Farën apo pagat që ka marrë ajo. E keni shkërdhyer para e mbrapa atë pak administratë. Jo vetëm Eli, po nuk mbeti këmbë ''vipi'' shqiptar pa marrë pagë si gjoja këshilltare e iksit apo ypsilonit, e ju kujtoni se nuk i dinë shqiptarët. I bëni këto zhurma të qëllimshme, për të hequr vëmendjen nga dështimi.

Rrëmova gjithandej në shtypin shqiptar, mund të ishin një ose dy web-e, një ose dy individë që denonconin pikërisht këtë dështim klasik të Shqipërisë, Raportin e Departamentit të Shtetit amerikan mbi Shqipërinë. U shqyet bythësh kur ky Departament shpalli si non grata Sali Berishën, në muajin Maj të këtij viti. Tani zhurmoni për Eli Farën, Gërdecin, etj. Dhe asnjë fjalë nuk thoni nga ky raport.

Por ia lërofsha ku e ka edhe Amerikës, kontradiksionin në raportet që nxjerr. Se kur thua që akoma klima e investimit në Shqipëri nuk është e favorshme, për shkak të korrupsionit të lartë, konkurencës jo të barabartë, pasi tenderimet jepen pa këto kritere, bjeri në kokë, ji realist me shqiptarët se nuk po qeveris Sali Berisha, por Edi Rama dhe ky Erion Çamçakëzi prej 8 vjetësh. Pra vazhdo me emra konkretë.

Ndofta kështu ndihmojmë po realisht demokracinë anemike të shqiptarëve. Mirëpo zvendëskryeministër dështaku, e mbulon zullumin e vet me dokrrat e gjyqeve mbi Gërdecin. Përdor një terminologji kanibalësh sa të vjen për të vjellë ta mendosh se nga kush qeveriset vendi ynë. Po Erion, Fatmiri i vrau, por po i vret më poshtërsisht edhe ti.

©Ilir Levonja