Pse nuk miraton Parlamenti shqiptar një rezolutë për Srebrenicën? - Nga Enver Robelli
Ta lëmë pas të kaluarën, tha së fundi kryeministri i Republikës së Shqipërisë ndërsa mbronte idenë e “Open Balkan”.
Ndërkohë:
- Udhëheqja e serbëve të Bosnjës shkoi në Beograd dhe mbajti një takim me Aleksandër Vuçiçin.
- Zyrtarët serbë këndej dhe andej Drinës u mobilizuan për të kundërshtuar praninë e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, Christian Schmidt, një politikan gjerman. Paraardhësi i Schmidt-it, austriaku Valentin Inzko, dekretoi një ligj, i cili sanksionon me burg ata që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Liderët serbë u alarmuan, sepse ata duan që edhe më tutje të thonë se në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid, përkundër verdikteve të qarta të drejtësisë së OKB-së.
- Lideri i serbëve të Bosnjës Millorad Dodik nga Beogradi tha se myslimanët janë konvertitë, pra ata paskëshin tradhtuar fenë e të parëve, andaj, ky është përfundimi “logjik”, ata janë fajtorë që ekzistojnë. Njëjtë ka folur Ratko Mlladiçi kur hyri në Srebrenicë më 11 Korrik 1995 bashkë me kasapët e tij: “Këtë qytet po ia japim dhuratë popullit serb... më në fund, pas kryengritjes së dahijeve (prijës të trupave jeniçere, v.j.) ka ardhur koha t’iu hakmerremi turqve të kësaj treve”.
- Nga Beogradi Dodik tha se “s’mund të jetojmë bashkë, duhet të krijojmë tri shtete të ndryshme”. Vuçiç nuk e dënoi këtë deklaratë. Heshtën edhe diplomatët perëndimorë.
- Në takimin mes udhëheqësve të Serbisë dhe të Republikës Serbe të Bosnjës u arrit pajtimi që deri më 15 Shtator, kur shënohet “Dita e unitetit serb”, të përpilohet projektligji për përdorimin e gjuhës serbe dhe alfabetit cirilik. “Duam të kemi normativë të njëjtë në Serbi dhe në RS dhe të fillojmë me redaktimin e programeve shkollore nga lëndët më të rëndësishme (histori, gjeografi si dhe gjuhë e letërsi serbe), në mënyrë që të kemi përmbajtjet e njëjta në territorin e Serbisë dhe të RS-së”.
- Po të kërkonin diçka të tillë shqiptarët në Ballkan, pra programe unike shkollore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, do bëhej hataja dhe do akuzoheshin për nacionalizëm.
- Në një paraqitje televizive Dodik tha se i ati i Valentin Inzkos ka qenë pjesëtar i Gestapos. Një gënjeshtër monstruoze. Por një gënjeshtër të kalon pa pasoja për të. Ndërsa qeveria amerikane së paku ka vendosur sanksione kundër Dodikut, BE nuk ka ndërmarrë hapa të tillë.
- Është e qartë që udhëheqjet aktuale të serbëve të Bosnjës dhe liderët e Beogradit në asnjë mënyrë nuk po shkëputen nga e kaluara. Rrjedhimisht, thirrjet e kryeministrit shqiptar për të harruar të kaluarën janë ose naivitet kolosal ose mosnjohje kolosale e politikave që ndjekin liderët serbë.
- Më 2015 kryeministri shqiptar në një konferencë me Vuçiçin ne Beograd tha se Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës. Vuçiç tha se Serbia nuk e pranon Kosovën, se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë lidhje me Shqipërinë. Nga kërkesa për njohjen e Kosovës kanë kaluar gati 6 vite. Tash nga Tirana zyrtare nuk ka kërkesa të tilla ndaj Beogradit. Tash Kosova fajësohet që s’po merr pjesë në një nismë kontradiktore rajonale që bojkotohet nga 3 prej 6 shteteve që janë pjesë e të ashtuquajturit Proces i Berlinit.
- Një pyetje për fund: a ka gjasa që një apo disa deputetë socialistë në Tiranë të propozojnë një rezolutë për të njohur gjenocidin e Srebrenicës, bazuar edhe në dokumentet e drejtësisë së OKB-së? Shqipëria është zgjedhur anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022/23 dhe do të ishte veçse e logjikshme dhe parimore të respektonte vendimet e institucioneve të OKB-së. Mali i Zi ka miratuar një rezolutë mbi Srebrenicën, pastaj edhe parlamenti i Kosovës ka bërë të njëjtën. Pse nuk e bën Shqipëria?
©Enver Robelli Zvicër











