Kontrolli i armëve të zjarrit, "kauza e rreme" e Justin Trudeau - Nga Taulant Dedja
Pas diskreditimit në debatin e Montréalit, ku Trudeau nuk ishte në gjendje të justifikonte pse e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, tashmë kryeministri në panik, arrogant dhe hipokrit, po tenton të zhvendosë vëmendjen drejt një teme që as nuk e përmendte deri para dy javësh, kontrolli i armëve të zjarrit. Po e bën vetëm për të sulmuar liderin Konservator O'Toole, madje dhe duke e fyer përmes deklaratës aspak etike "lobi i armëve të zjarrit e ka në xhep atë". Për këtë madje ka thirrur në ndihmë disa analistë haptas proliberalë. Po shfrytëzohet gjithashtu për ta sulmuar, një pikë e programit të Erin O'Toole kur u zgjodh kryetar i Konservatorëve, sipas të cilës, legjislacioni për armët e zjarrit i miratuar nga Liberalët do të rishikohej.
Nga ai moment kanë kaluar shumë muaj. O'Toole në vazhdimësi ka kristalizuar lidershipin e tij dhe ka dëshmuar qëndrime të moderuara për shumë tema, me një objektiv të qartë dhe shumë pragmatist, tërheqjen e elektoratit "gri" drejt Konservatorëve. Ky sipas meje është vizion modern, sepse ne politikë, si kudo gjërat nuk janë të prera me thikë. Në këtë kontekst, prej tri ditësh O'Toole e ka qartësuar pozicionin e tij për temën e kontrollit të armëve duke u angazhuar të mbajë të pandryshuar legjislacionin në fuqi. A duhet sulmuar ai pse rishikoi pozicionin e tij të para 6-7 muajve? Përkundrazi, duhet vlerësuar.
Por paniku, siç thashë me lart, e ka bërë Trudeau të heqë maskën e mirësjelljes për të shfaqur hapur cinizmin, që është natyra e tij e vërtetë. Në të njejtën logjikë cinike ai vazhdoi të fyejë ata që kundërshtojnë politikën e vaksinimit me detyrim si "20 përqindshi i margjinalizuar" i shoqërisë kanadeze. Une njoh plot prej tyre. Janë njerëz që punojnë me përkushtim e paguajnë taksa, njëlloj si ne 80 përqindshi i të vaksinuarve. Jo! Më e pakta ata kurrsesi nuk e meritojnë të fyhen kësisoj!
Po le të kthehemi te tema e kontrollit te armëve të zjarrit dhe te trafiku i paligjshëm i armëve që hyjnë nga SHBA në rrugë tokësore. Trudeau ka 6 vjet në pushtet. Çfarë bëri ai në këtë drejtim? Të gjithe e dimë që sot ka zona në qytetet më të mëdha kanadeze, Toronto apo Montréal, ku gangu i rrugës i përdor armët si në Siçilinë e dikurshme. Bëni një kërkim për këtë temë çfarë ka ndodhur gjatë vitit të fundit në Montréal. Madje nuk zmadhoj nëse them që në Veri të Montréal, pistoleta është bërë për disa grupe të rinjsh njëlloj si celulari.
Ndërkohë, papërgjegjshmëria e Trudeau shkoi deri atje, sa të kërkonte që këtë çështje, pra rregullat për kontrollin e armëve të zjarrit t'i vendosin vetë bashkitë e mëdha, përfshi Montréal. Është i njohur kundërshtimi publik që i bëri për këtë problem delikat kryeministrit Trudeau, kryetarja e Bashkisë Montréal, Valérie Plante, qysh në Tetor 2020.
Pra Trudeau, në vend që të sulmojë O'Toole për këtë temë, duhet të sqarojë se çfarë ka bërë për uljen e kriminalitetit, luftën kundër gangut të rrugës dhe rritjen e sigurisë publike në qytetet e mëdha kanadeze. Jo vetëm kaq, por duhet të shpjegojë pse nuk bëri asgjë 6 vjet me radhë për përmirësimin e legjislacionit në këtë drejtim, për të definuar më qartë përgjegjësitë federale dhe provinciale. Sepse deri më sot në shumë raste ia ka lënë kopilin në derë bashkive.
©Taulant Dedja