Kolumnist

Perversët tanë “proamerikanë” - Nga Artan Gjyzel Hasani

 

I gjen kudo. Në politikë, në qeveri dhe në opozitë, në media dhe kafene, në mediat sociale dhe natyrisht edhe në shoqërinë tënde.

“Proamerikanizmi” shqiptar i ditëve tona duhet klasifikuar te perversitetet.

Nëse preferon Trump-in je antiamerikan, por nëse pëlqen Biden-in je proamerikan - kjo është deviza e perversëve.

“Proamerikani” shqiptar i vitit 2021 është po ajo specie që në vitin 2020 urrente me çdo kusht e çmim presidentin Trump pikërisht për moton e tij “Amerika e Para!”.

Për këtë kategori perversesh edhe Donald Trump ishte anti-amerikan.

Nëse sot dikush kundërshton politikën e administratës Biden etiketohet në çast nga perverset “antiamerikan”, edhe pse motoja e kësaj administrate nuk ka Amerikën të parën, por Axhendat Globaliste që kërkojnë një Amerikë të dobët kundrejt një Bote globaliste marksisto-kineze.

Këta perversë pa dinjitet dhe integritet moral që fërkonin duart me ngazëllim kur digjej Amerika e Trump-it nuk kuptojnë që të duash Ameriken do të thotë të duash atë ideologji të njeriut të lirë dhe të të drejtave të tij universale të dhëna nga Zoti e të sanksionuara në Kushtetutën  Amerikane nga Baballarët Themelues të Kombit Amerikan,  ata amerikanë të mëdhenj, kur statujat e të cilëve u shkatërruan nga  perversët amerikanë, se edhe Amerika ka perversët e vet si çdo komb, u brohoritën nga “proamerikanet” shqiptarë të 2021.

Të duash Amerikën do të thotë të duash frymën e lirisë dhe fuqisë morale të një kombi që prej asgjekundit krijoi vetveten dhe ndërtoi demokracinë më të madhe në historinë e njerëzimit.

Të duash Ameriken do të thotë të duash kulturën dhe artin e atij vendi, muzikën dhe sportin, jazz-in e rockenrollin, kinemanë dhe shkencën e atij vendi, të duash redneckun amerikan dhe zezakun skllav që duke mbledhur pambuk nga dhimbja e qënies së përdhosur krijoi blues-in magjik që prek shpirtin e çdo humani mbi Tokë.

Të duash Amerikën do të thotë të duash e ta bësh tënden mënyrën amerikane të jetës.

Të adhurosh yjet që ai komb divers në raca, por unik në atdhedashuri, i ka falur muzikës, sportit, shkencës, artit, kulturës, qytetërimit modern.

Të duash mënyrën amerikane të të menduarit pragmatist dhe praktik të jetës.

Të duash Amerikën do të thotë të duash tokën amerikane dhe njerëzit e saj, amerikanët e bardhë, të zinj, të verdhë e të kuq, me të njëjtën dashuri.

Por ka edhe një “dashuri” tjetër amerikane, dashuria perverse, dashuria politike, kur këtë dashuri dhe “proamerikanizëm” e mat me metrin e politikës amerikane. Me bëmat e politikanëve të preferuar në varësi të bindjes tënde politike apo interesave të tua personale të momentit.

I dashur pervers, Amerika duhet dashur apo urryer full time. Edhe mund ta urresh për të njëjtat arsye që një tjetër e do. Eshtë zgjedhje personale e kushtëzuar nga background-i familjar, ideologjik, fetar, kulturor dhe shpirtëror i secilit. Por nuk mund ta duash apo urresh Amerikën në varësi të presidenteve të radhës. Eshtë perversion i mirëfilltë që dëshmon kush je ti dhe jo çfarë është Amerika.

Nuk mund të jesh proamerikan part-time çdo katër apo tetë vjet.

Ndryshe nga ty pervers unë e dua Amerikën njësoj edhe nën një president si Biden që m’i sjell zorrët në fyt, si ty dikur Donald Trumpi.

E dua se nuk mund të mos e dua me admirim: Amerika është e përjetshme, ndërsa presidentët dhe administratat janë të përkohshëm bashkë me Hiroshimat, Vietnamët, Irakët, Afganistanët dhe zullumet, gënjeshtrat dhe humbjet e tyre të njohura botërisht, bashkë me luftërat në anë të të Mirës dhe Paqes, bashkë me Guantanamot dhe pisllëqet e CIA-s dhe bashkë me ne të tjerët si bisht i kavallit, mua “antiamerikanit” dhe ty “proamerikanit” të vitit 2021.

©Artan Gjyzel Hasani