Kolumnist

“Kolonelit” Berisha nuk ka kush t’i shkruajë - Nga Ilir Gjini

“Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, një nga kryeveprat e shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez. Nuk di pse situata e fundit politike ma solli ndër mend…

Tërmeti 7 ballësh që shkaktoi vendimi i State Departament of USA për të shpallur “non grata” liderin historik të së Djathtës Berisha, po e shndërron PD-në në një ndërtesë gjysëm të shkatërruar, ringritja e së cilës do të kërkonte ndoshta dekada.

Burokratët amerikanë që ndikuan në marrjen e këtij vendimi, i dinin mirë këto pasoja dhe e goditën PD-në pikërisht në momentin e saj më të dobët. Çuditërisht ata nuk e morën këtë vendim as në vitin e mbrapshtë 97, kur Berisha ishte në pozitën e tij më të dobët.

I “tradhëtuar” nga krahu i tij i djathtë Basha, të cilit i dha gjithë privilegjet e mundshme, Berisha sot ndihet si personazhi i novelës së shkrimtarit të madh Marquez “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”.

Përpjekjet e tij për të demokratizuar PD-në do të kishin vlerë nëse do të ishin bërë pas zgjedhjeve të 2017-ës, kur Basha bëri një marrëveshje kulisash me Ramën që i kushtoi Partisë Demokratike rezultatin më të dobët në zgjedhje.

Sot aksioni i Berishës vetëm sa do ta përçajë edhe më tepër PD-në në opozitë, duke ia shtruar me asfalt Ramës rrugën e pushtetit. Me të gjitha pushtetet në dorë ku spikat veç të tjerash edhe ai i “Drejtësisë se re” me yll në ngritje Dvoranin, Rama tashmë do të fusë në xhep edhe pushtetin e fundit që nuk është përfshirë në vilajetin e tij, Opozitën.

Ikja e PD-së nga Parlamenti dhe dordolecët e mbledhur nga fundi i listave që e gëlltitën karremin  dhe u bënë shtojcë e pushtetit, duket se i zgjoi Ramës ëndrrën e tij të fshehtë për të qeverisur i vetëm, pa kundërshtarë.

Eksperimeti i Gjuzi-Jenisherit & co, duket se po i jep frytet e veta edhe me opozitën e hallakatur nga humbja e 25 Marsit. Aksionit për të denoncuar vjedhjen e zgjedhjeve, Basha iu përgjigj duke uzurpuar njësoj si Rama karrigen e kryetarit, duke mos u lënë kohë kandidatëve të tjerë as të shkelnin të gjitha degët e PD-së.

Berisha ka shumë të drejtë kur akuzon Bashën tani për uzurpim, po këto do kishin vlerë nëse do ishin thënë më parë. Që kur Basha përjashtoi nga kandidimi Astrit Patozin, me arsyetimin e çuditshëm se e paraqiti me vonesë kandidaturën?!

Të ardhur nga një sistem diktatorial, shqiptarët (madje edhe brezi i ri që nuk e ka jetuar diktaturën), duket se nuk e kanë shumë të vështirë të përshtaten me mungesën e lirisë. Mungesën e zgjedhjeve të lira, apo edhe të fjalës se lirë. Tani edicionet e lajmeve fillojnë dhe mbarojnë me Kryeministrin që është ylli gjithnjë në ngjitje. Po bombardohemi me projektet 3D dhe sukseset imagjinare të liderit global duke prodhuar lajme fallco, siç ishte edhe ai i afrimit të Bosnjes në “Ballkanin e Hapur”.

Një pjesë e rëndësishme e medias sot i ngjan personazheve të Gogolit te komedia “Revizori”. “Media ngjan me dy ndihmësit e prefektit, që hynë në zyrën e tij për të raportuar se në provincë po vinte një revizor nga Moska. Dera e vogël nuk i nxinte të hynin njëherësh, por ata e gjeten zgjidhjen duke u futur anash”.

Me një sistem patronazhimi të ngritur në “nivel profesionistësh” dhe me ndihmën e pakursyer edhe të “Drejtësisë së re” që e gjeti “armikun” te gazetarët e Lapsit dhe jo te pushteti, Rama do mbretërojë i qetë. Kështjella e fundit tani që ylli i Presidentit Meta po perëndon, “Gjykata Kushtetuese”, me gjasa do jetë e Kryeministrit. Madje nuk është çudi që të drejtohet nga ylli i miqve tanë amerikanë, Adrian Dvorani.

Lideri i opozitës Basha që gris fletët e votimit në Kuvend, por që bën autokritike sa herë që “ndërkombëtarët” i tërheqin veshin, vetëm sa do ta “gudulisë” pushtetin e Ramës. I mbetur në rolin e dordolecit që nuk tremb dot as zogjtë e arës, e jo më pushtetin e Ramës, ai do vazhdojë me “devotshmëri” opozitën e lënë përgjysëm nga Kujtim Gjuzi.

Opozitës sot i duhet një lider i vertetë. I pakapur nga kulisat e pushtetit dhe të oligarkeve rreth tij!

Nga ana tjetër “kolonelit” Berisha nuk ka kush t’i shkruajë...

©Ilir Gjini