Kolumnist

Sali Berisha i viteve të para të demokracisë - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Sali Berisha u kthye ashtu si në vitet e para të demokracisë, kur deklaronte se ishim bashkëvuajtës. Megjithëse shumë e mendonin të mbaruar, ky rikthim vertetoi të kundërtën. Atmosfera ishte totalisht ajo e tridhjetë viteve më parë. Denoncues dhe i drejtpërdrejtë. Jo më ai tipi që dilte nga selia duke mbledhur supet, ndërkohë që Partia Demokratike fironte ditë më ditë. Jo më ai tipi që mbulon akuzat e drejta me vickla kurvash. Deri sa nuk më luajnë mua, përse të ndihem?

Një lloj keqardhje e madhe dukej kudo. Madje Sali Berisha u kërkoi ndjesë publike demokratëve. Çfarë lëvizte aty brenda që njerëzit ndiheshin të çliruar, një lloj tifozërie solide e shkallëve të një stadiumi kombëtar. Në një farë mënyre shumë demokratë i kanë thënë nën zë faleminderit Amerikës. Faleminderit që e shpalle “non grata” dhe na ktheve një opozitar real aq të domosdoshëm për vendin.

Qe e gjitha një frymë e vërtetë demokrate deri me pyetje shpirtërore. Doktor, a dije që Luli nuk dinte tabelën shumëzimit? Ka kohë që na thotë u rritëm në vota, por prapë në opozitë mbetëm, nuk e shijuam një fitore kurrë. Doktor, a e di që e kam votuar Lulin për hatrin tuaj?

Dhe fati e solli që paralelisht me fushatën e Foltores a takim me bazën, në Kuvend po fliste edhe Luli. Numri i ndjekësve kishte në mes një humnerë. Sali Berisha, i urryeri, i mbaruari, ai “non grata” në majë, kurse Luli, gjumashi, xhelisti, amerikani, aty në fund. Vemendja ishte tek Saliu. I padëshiruari për Amerikën, tabela e qitjes për makinerinë e propagandës së pushtetit, por shpresë riunifikimi për demokratët.

Ndërkohë shumë njerëz pyesin, vërtetë do zgjidhet kryetar? Vërtetë do të vijë ai prapë në pushtet? Unë këtë nuk di ta parathem. I takon Saliut. Por mund të them me plot gojën se sikur të të dojë të kthehet, Edi Rama nuk mbush vitin në qeveri. Nëse ka ndërmend t’ia delegojë pushtetin ndonjë kanakari tjetër, të shpresojmë se do e bëjë brenda gjithë normave statutore të një force madhore si Partia Demokratike. Dhe të mos heshtë kur ndodhin theqafje, humbje të njëpasnjëshme etj. Madje të mos ndalet edhe për të sqaruar akuzat rreth personit të tij.

Sot demokracia e vendit tonë ka kapur fundin ose tabanin e një varri të hapur. Eshtë e dhimbshme kur shikon se si qeveria e pjesës së epërme të shqiptarëve, kryen një rit ceremonial më parë në Shkup, se, në Tiranë. Janë arritje fundore nga pikërisht vrasja e votës së fshehtë, forumeve dhe votës kolegjiale në partitë përkatëse. Duhej të ishim në stadin e kufijve me kunja shkrepse, por nuk jemi. Gjithsesi, çfarë po ndodh mund të përshpejtojë kthimin real të Partisë Demokratike, jo vetëm demokratëve por edhe vendit.

©Ilir Levonja