Kolumnist

O kasolle, ku na mblodhe! - Nga Vangjush Saro

Ndryshe: Për mediat tona të mjera; apo shtypin, si i thonë…

S’është fundi i botës e, fundja, pak a shumë kështu po shkojnë punët kudo: mediat, në aleanca të shpallura dhe të pashpallura me politikën dhe bizneset, përpiqen të fitojnë terren, të grishin sa më shumë shikues, të kapin sa të mundin institucione e publik; të ndiqen me çdo kusht e në çdo aventurë.

Por ne jemi në “pararojë” të këtij panairi. Kjo vihet re sapo që çelet ndonjë debat “i vështirë”; siç ndodhi gjatë vizitës së Dua Lipës, në diskutimin për Bregoviç, për refugjatët afganë, për fatin e z. Berisha, e kështu më tej. Në fakt, mediat nxjerrin në pah thelbin tonë: Etjen për sherr mes vedi, duke harruar çdo lloj teme tjetër, më së pari ato më të vërtetat. Në panele të TV, ishin dhe mbeten të zakonshme: fluturimet pindarike të analistëve fodullë, grindjet boshe, fyerjet ekstreme, përplasjet me fjalë dhe me sende; të gjitha, banalitet nga çdo anë që mund ta vështrosh. Atje ftohen njerëz ekstremistë, persona që në çdo rast e, pavarësisht nëse janë në fushën e tyre apo jo, përpiqen të vënë pikën mbi I, “bëjnë” historinë dhe gjuhësinë, letërsinë dhe muzikën, politikën dhe aktualitetin; gjithnjë sipas mendjes së tyre të çartur. Në panele, ftohen me përparësi Miss-e dhe politikanë sherxhinj; madje edhe psikopatë, që çfarë nuk llomotisin e çfarë nuk parashikojnë. Producentët e dinë mirë që shumica do t’i ndjekë ata me sytë hapur e, ndonjëherë, duke u jargavitur… Dhe këtu fillon tallavaja.

Nuk ka asnjëlloj pengese për këtë kalorësi mënxyrash. Disa gazeta e portale - përveçse në pikë të hallit për nga lloji i informacionit që transmetojnë dhe, po ashtu, për nga gjuha me të cilën po sillen bash si harbutë - publikojnë me ngulm shkrime që e acarojnë publikun dhe krijojnë terren për përplasje sociale. Ç’është më e keqja, ato lejojnë çdo lloj komenti e, në këtë rast, shkruesit e roitur vërsulen me histeri dhe pa pikën e turpit, gazeta shndërrohet në hale, shpërthejnë urrejtjet, shpifjet, mallkimet, përdoren fjalët dhe shprehjet më të ndyra; dhe e gjithë kjo është tepër. (Sigurisht, është e vështirë të punësohen redaktorë shtesë për shtesat e pafund përfund gjithë shkrimeve…)

Dhe ja, kështu, u kemi kthyer kurrizin qytetarëve dhe temave më të rëndësishme: PAPUNËSIA, për të cilën panelet dhe panelistët heshtin; IKJA E SHQIPTARËVE andej këtej nëpër botë, që është kaq e frikshme; ndryshimet e rënda në DEMOGRAFI, një brengë që po përpiqen ta sjellin në vëmendje disa nga ekspertët më të njohur në Shqipëri; ARSIMI, burimi i gjithë kësaj prapambetjeje që dhemb… E të tjera.

Një histori mediokre, e mërzitshme dhe e rrezikshme, të cilën institucionet përgjegjëse - që mbahen me lekët e taksapaguesve - nuk po e kontrollojnë dot. Na duhet ta ringremë gjithçka; edhe medien a shtypin, si i thonë…

©Vangjush Saro