Kolumnist

Propagandë ekskluzive nga mediat oborrtare të Tiranës - Nga Enver Robelli

Mediat oborrtare të qeverisë “socialiste” të Tiranës me bori e trumbetë dhe nën siglën “ekskluzive” dhanë këtë lajm: edhe Bosnjë-Hercegovina po i bashkohet nismës “Open Balkan”. Kështu paskësh thënë Zoran Tegeltija, kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, pra kryeministri i këtij vendi. Nëntoni i lajmeve të tilla të fryra e ka një synim: të bëhet propagandë kundër Kosovës, e cila, ja, nuk po e përkrah “Open Balkan”, kurse Bosnja gjoja ndërroi mendje.

Por sa është e vërtetë kjo? Zoran Tegeltija është politikan serb, ka qenë ministër i Financave në Republikën Serbe të Bosnjës dhe është aleat i Milorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnjës, i cili po të kishte fuqi nuk do e priste të nesërmen për ta shkatërruar Bosnjën. Nuk është kurrfarë befasie nëse politikanët serbë të Bosnjës vallëzojnë me ritëm të muzikës së Beogradit. Nuk është as befasi që Tegeltija të thotë se ai mendon që Bosnja ndoshta do t'i bashkangjitet nismës “Open Balkan”.

Por, punët politike në Bosnjë janë paksa më të ndërlikuara dhe këtë ndoshta duhet ta kenë parasysh mediat e oborrit qeveritar në Tiranë. Zoran Tegeltija nuk mund të marrë vendim kokë më vete për “Open Balkan”. Bosnja është shtet i tre popujve me fuqi vendimmarrëse dhe me veto. Për shembull ministrja e Jashtme Bisera Turkoviç në Nëntor 2020 ka thënë se “Mini-Schengeni” për Bosnjën nuk është projekt tërheqës. “Nga momenti kur është nënshkruar “tregu i përbashkët rajonal” në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është i bazuar në katër liritë, i ashtuquajturi “Mini-Schengen” praktikisht e ka humbur rëndësinë në kuptimin ideor”, ka deklaruar Turkoviç.

BBC në gjuhën serbe e ka pyetur ministrinë e Jashtme në Sarajevë se përse Bosnja nuk është ende pjesë e nismës “Open Balkan” dhe përgjigja ka qenë kjo: “Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës nuk ka marrë ende vendim për këtë”.

Presidenca e Bosnjës i ka tre anëtare. Një boshnjak, një serb, një kroat. Momentalisht disponimi i dy anëtarëve të presidencës (boshnjakut dhe kroatit) është kundër hyrjes së Bosnjës në “Open Balkan”. Andaj lajmi “ekskluziv” i përhapur nga mediat oborrtare tiranase është vetëm një flluskë propagandistike.

Mali i Zi po ashtu nuk dëshiron të jetë pjesë e “Open Balkan”, ndonëse ky vend tani ka një qeveri që konsiderohet proserbe. Zorka Kordiç, kryenegociatore e Malit të Zi për anëtarësim në BE, ka thënë për gazetën “Vijesti” se Podgoricës më shumë i përshtatet tregu i përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe jo “Open Balkan” i instaluar nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Në lidhje me “Open Balkan” profesori grek Nikolaos Cifakis nga Universiteti i Peloponezit thotë: “Ekziston rreziku që iniciativa “Open Balkan” mund të thellojë vijat ekzistuese ndarëse në rajon dhe zbatimi i saj mund të paraqesë një fushëbetejë të re për çështjet e Kosovës dhe Bosnjës. Nëse Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duan të shmangin këtë rrezik, duhet t’i kenë parasysh shqetësimet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe t’i japin përparësi inkluzivitetit të procesit”.

©Enver Robelli KOHA