Kolumnist

Kronikë e trazuar ballkanike - Nga Enver Robelli

■ Nëse është kërkuar edhe një dëshmi për rolin e Rusisë në destabilizimin e rajonit: dje njësitë e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën i kanë inspektuar Ambasadori rus në Beograd Aleksandar Bocan-Harçenko dhe i dërguari i Kremlinit Aleksandar Zinçenko.

■ Prej muajsh Serbia ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar tri shtete në rajon: Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën.

■ Të gjitha këto përpjekje po bëhen në emër të projektit serbomadh për “Botën serbe” (“Srpski svet”). Koncepti i “Botës serbe” është një më një i kopjuar nga koncepti rus për “Ruski mir” (“Bota ruse”). Pas aneksimit të Krimesë Presidenti rus tha se rusët janë “një komb i ndarë”, andaj Rusia, sipas tij, synon një “Botë ruse”, “një Rusi historike”, një Rusi të cilës i “rikthehet uniteti”.

■ Kështu flasin edhe politikanët serbë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka shpikur një festë të re: 15 Shtatori si ditë e unitetit serb dhe flamurit serb. U ka bërë thirrje serbëve kudo ku jetojnë që në atë ditë të shpalosin flamujt serbë. Qëllimi është që serbëve t’u thuhet se duhet të demonstrojnë edhe me akte simbolike përkatësinë e tyre në “Botën serbe”. Siç theksoi historiani kroat Ivo Goldstein, serbëve jashtë Serbisë po u thuhet të jenë vetëm serbë dhe jo qytetarë të vendeve përkatëse. Kjo, sipas tij, është politikë serbe e viteve 80-të dhe 90-të.

■ Politikanët serbë në Bosnjë të prirë nga ultranacionalisti dhe racisti Milorad Dodik dhe forcat proserbe në Mal të Zi i janë bashkuar projektit të Vuçiçit mbi “Botën serbe”. Në Kroaci politikani serb Milorad Pupovac ka bërë thirrje që serbët të respektojnë ligjet kroate. Ashtu siç askush nuk dëshiron që flamuri kroat të valëvitet në Serbi, ngjashëm edhe në Kroaci askush nuk do të dëshironte të valëvitej flamuri serb, ka thënë Pupovac. Por ai është zë i vetmuar në dalldinë nacionaliste serbe të ndezur muajve të fundit. Në Kosovë vetëm politikania Rada Trajkoviç kritikoi provokimet e fundit të Beogradit. Ajo shkroi në Twitter se brenda 24 orëve në Serbi kanë vdekur 42 qytetarë nga Koronavirusi, ndërsa këta luajnë lojëra lufte në kufirin që e siguron NATO.

■ Kolumnisti i njohur kroat Viktor Ivançiç lidhur me “ditën e flamurit serb” shkroi: “Mes brekëve të sapo lara që teren në tojën e ballkonit dhe flamurit që krenar valon në shtizë, është shumë më e guximshme të tregohet respekt për rrobat. Brekët e shtrira për t’u terur me siguri do t’i përdorin njerëzit, ndërsa flamuri i shpalosur na bën të ditur se njerëzit do të përdoren”. Në 30 vitet e fundit Serbia e ka pasur dhe e ka një qëllim, zgjerimin territorial. Për këtë qëllim përdoren serbët kudo që janë.

■ Përballë ofensivës agresive serbe kundër Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës, Perëndimi duket i pavendosur, i hutuar, i pavullnetshëm për të emëruar qartë agresorin. Deri më tani kemi parë vetëm apele stereotipe, ku “të dy palëve” u bëhet thirrje për të qetësuar situatën dhe vazhduar bisedimet në Bruksel. Qëndrimi neutral i Brukselit dhe kryeqyteteve me ndikim ndaj krizës në Veri është shqetësues.

■ Se sa kanë ndryshuar hesapet e tregon edhe ky fakt: kur para disa ditësh në një takim populistësh në Budapest lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik mbajti një fjalim homofob dhe racist (“myslimanët nuk ndryshojnë kurrë”), aty ishte edhe ish-Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence. Ai doli në fotografi duke ia tundur dorën Dodikut. Më 2017 administrata e Donald Trumpit e pati futur Dodikun në listë të zezë. Bashkimi Europian nuk e ka bërë këtë ende. Ndonëse në listë të zezë amerikane, Mike Pence shfaqet me Dodikun në një takim populistësh.

■ Qeveria e Kosovës mund të ketë marrë një vendim të drejtë për vendosjen e reciprocitetit të targave, por do të kishte qenë e udhës që për aksione të tilla paraprakisht të zhvillohen biseda koordinuese me opozitën dhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila është garantuese e tërësisë territoriale të Kosovës. Kapitullimin në tendën e Kumanovës Serbia e ka nënshkruar para oficerëve të NATO-s, jo para ndonjë delegacioni të Kosovës. Do të ishte mirë sikur aty të kishte qenë një delegacion i Kosovës, por historia s’mund të ndryshojë. Konsultimet e qeverisë me opozitën u bënë vetëm dje sot. Kjo është gjithsesi vonë. Sidoqoftë opozita tregoi nivel të lartë përgjegjësie (me ndonjë përjashtim).

©Enver Robelli