Kolumnist

Lulzim Basha, gjenerali pa ushtri - Nga Ilir Gjini

Mjaftoi një aksion individual i Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës, që si pika që derdhi godën, zbrazi gjithë mllefin e bazës së demokratëve për rezultatet e përsëritura zhgënjyese në zgjedhje dhe piruetat e kryetarit aktual nga rruga radikale në dorrëzimin pa kushte.

I graduar gjeneral nga gjeneralisimus Berisha kur ky i fundit vendosi të dorëhiqej, Basha duke iu gëzuar spaletave të pamerituara me garë reale, la përshtypjen (sidomos para ndërkombëtarëve) se të gjitha veprimet radikale si djegia e mandateve apo braktisja e zgjedhjeve, ishin dora e Berishës dhe jo e tij.

Ndërkombetarët me në krye amerikanët, kur panë se përpjekjet e tyre për të larguar liderët e vjetër konfliktualë përmes sistemit të drejtësisë së ventiguar po dështonin, vendosën të përdornin një rrugë tjetër, atë të shpalljes “non grata”. Me këtë veprim, ata me një gurë vrisnin dy “zogj”.

Largonin nga skena politike një aktor protagonist si Berisha që me natyrën konfliktualale që gjeneronte brenda vendit por edhe në rajon, binte ndesh me interest amerikane që kërkojnë stabilitetin para demokracisë, si dhe i dërgonin një sinjal të fortë Ilir Metës se mund të pësojë fatin e Berishës.

Pas aktit të shpalljes non grata të Berishës, Meta është “ngujuar” në kullën presidenciale duke shpërdarë medalje dhe kafshuar gjuhën konfliktuale që përdori në fushatën zgjedhore. Me çekanin e të shpallurit non grata mbi kokë, ai është gati jo vetëm të dekretojë Qeverinë Rama 3 (që qe përbetuar se kurrë nuk do ta dekretonte), por edhe të bëjë koalicion me të sërish nesër. Për këtë nuk do ketë nevojë për një tjetër “drekë ngjalash”, pasi Meta e ka kafshuar ndërkohë “ngjalën” e ofruar nga amerikanët, bindjen.

Nga ana tjetër gjenerali me ushtarë që dezertojnë çdo ditë Basha, ka pranuar kapitullimin pa kushte mjafton që t’i mbetet karrigia e kryetarit. Baza e Partisë Demokratike (që në shumicë është me Berishën), e kish pranuar si kryetar Bashën pasi edhe pse dështonte radhazi, heshtjen e Berishës e shikonte si përkrahje të tij. Tani që situata ka ndryshuar, ata janë gati ta kryqëzojnë Bashën në rastin më të parë. Basha e ka kuptuar se tani është një general pa ushtri. Prandaj ai eviton takimet me bazën.

Edhe ata përkrahës të tij do ta kryqëzonin për gjithë rrugën e ndjekur nga marrëveshja e 17 Majit, te braktisja e protestave dhe ulja në sofrën vrastare të 5 Qershorit. Por Basha që me ose padashje i dhuron Ramës pushtet pa kufi, nuk ka ndërmend ta dorëzojë pushtetin e vetëm që i ka mbetur, karrigen e kryetarit të opozitës.

Ai do të kapet me thonj pas saj deri në betejën radhës, ku si një general i një ushtrie të vdekur, në vend të fitores së pushtetit, do koleksionojë humbjen e radhës.

Nga përplasja e Bashës me Berishën do ketë vetëm një të fituar. Ky do të jetë Kryeministri Rama, që me opozitën në betejë mes vetes dhe me fabulën e të përkëdhelurit të amerikanëve, do vazhdojë i qetë sundimin.

Pushtetet e tjera që mund të ndalnin revashin e tij në sundimin e shtetit si media apo drejtësia, kanë zgjedhur të kafshojnë karotën e pushtetit.

©Ilir Gjini