Kolumnist

Hipokrizia dhe precedenti diktatorial i Justin Trudeau - Nga Endrit Mullisi

Endrit Mullisi - Toronto

Vendimi i kryeministrit Trudeau për të bërë vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit federalë, jo vetëm krijon ndjesinë se në çdo aspekt po jetojmë në një shoqëri të kontrolluar, por të nxit të reflektosh thellë, shumë thellë madje.

Së pari ai tregon që nuk po e drejton Kanadanë, por po e drejtojnë të tjerët. Ai deklaroi me siguri përpara stinës së verës, që vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm dhe ndryshoi. Në këte rast, ai nuk ka nevojë të kërkojë as falje që gënjeu, siç e ka zakon herë pas here. Ai është kaq krenar dhe fodull, sa dhe Ditën e Të Vërtetës dhe Pajtimit ikën me pushime, siç do e bëjnë rëndom shumë prej kanadezëve në vitet në vazhdim. Tregon që tani, që me 4 vite të tjera në pushtet, ai mund të bëjë ç’të dojë dhe nuk ia ndjen më se çfarë mendojnë kanadezët. Ndoshta i ka marrë shumë personale hedhjen e zhavorit apo protestat që pati kundër tij gjatë fushatës dhe atij grupi njerëzish do që t'i hakmerret, meqë në dorë ka dhe gurin dhe arrën.

Se dyti, detyrimi për një procedurë të tillë në nivel kombëtar krijon një precedent diktatorial në një prej vendeve më demokratike të globit, ku shumë aspirojnë të vijnë dhe jetojnë. Me këtë precedent, prova kalohet sa herë që qeveria do të bëjë diçka pa marrë konsensus popullor. Do ta bëjë edhe për gjëra që për momentin nuk duhet t’i mendojmë.

Se treti, hipokrizia e qeverisë, sëbashku me ata që i ofrojnë informacione dhe sugjerime zyrtare që prekin ata që shërbyen për më shume se një vit në spitale dhe qendra shëndetësore, eshte e palogjikshme. Këtyre heronjve të vjetshëm që arritën të punojnë nën një trysni të tillë, madje disa prej tyre duke e kaluar vetë COVID, tani u thuhet me detyrim të vaksinohen kundër dëshires, përndryshe do të humbasin punën. As shkenca, as logjika dhe as etika këtu nuk është në nivele të lakmueshme.

Së katerti, kjo qeveri duket që është kaq e sigurt në bindjen se presioni për humbjen e punës do të jetë efikas, sa që nuk mendon fare për mundësinë që një përqindje e këtyre heronjve të djeshëm bëhen armiq të popullatës duke refuzuar të vaksinohen. Në një valë COVID-i ku të gjitha forcat janë të nevojshme për të qenë në fushëbetejë dhe ku punonjësit e shëndetësisë janë të lodhur, siç dëgjojmë të thonë në lajme, pyetja shtrohet: ku do i gjejë qeveria kaq shpejt personat që do i zëvendësojnë specialistët që do t’i heqë nga puna?

Së fundmi, është shumë ofenduese që persona të cilët për arsye të ndryshme ende janë hezitues të marrin gjilpërën eksperimentale, të etiketohen si sabotues.

Nuk di nëse doni më shumë për “Belulin”, por “Belulin” po e tredhin, po e qethin dhe rruajnë, po ia ndryshojnë dhe emrin, po ia ngulin dhe dozën e parashikuar dhe po i thonë: “Bravo, qytetar i bindur i perandorisë së re”!

Diktaturat fillojne ndryshe, por shkojnë të gjitha në një vend.

Sot jam shumë i palumtur kur mendoj skenarët e mundshëm që mund të ndodhin. Shpresen e kam tek Ai që thotë gjithmonë të Vërtetën. Ai ndryshoftë zemrat e atyre që ende kanë mundësi të ndryshojnë, e i forcoftë zemrat e atyre që e kanë ndarë mendjen të jenë zemër-gur!

Zoti pastë meshirë për ne, krenarë dhe budallenj, siperfaqsorë dhe materialistë, që shitemi për 30 monedha, apo për një biletë avioni!

©Endrit Mullisi