Kolumnist

Ballkani Perëndimor si zbrazëti e Bashkimit Evropian - Nga Lisen Bashkurti

Me 6 Tetor 2021 u zhvillua Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni. Në këtë samit, Bashkimi Evropian shprehu angazhimin e tij pa mëdyshje për integrimin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet. Nga ana tjetër, vëndet e Ballkanit Perëndimor, me shpresa dhe me ankthe rikonfirmuan motivimin e tyre të plotë për të vazhduar përpjekjet në rrugën e vështirë dhe të gjatë drejt Bashkimit Evropian.

Në vështrimin e përgjithshëm duket një klimë e mirë midis BE dhe Ballkanit Perëndimor, megjithë problematikat që ka secila palë e Evropës në vetevete, apo në qasjen ndaj njëra-tjetrës. Në rrafshin psikologjik samiti reflektoi një asimetri të dukshme tanimë: Bashkimi Evropian duket se është lodhur nga politikat e zgjerimit dhe po e reflekton lodhjen më së shumti ndaj Ballkanit Perëndimor, që përbëhet nga gjashtë shtete dhe më pak se 20 milion banorë; nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor duket me padurim në rritje për t’iu bashkëngjitur BE pa kushte dhe sa më shpejt. Lodhja e rritur e BE dhe padurimi në rritje i Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më shumë arsyeja e tensioneve midis këtyre dy anëve të të njëjtit Kontinent. Deri kur do vazhdojë kjo situatë me tensione në rritje?

1. Gjashtë vënde në katër stade

Gjashtë vëndet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse një nën-rajon tejet i vogël janë në katër stade të ndryshme në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Këto diferenca në këtë proces reflektojnë shkaqe të shumta që lidhen me zhvillimet brënda secilit vënd dhe në qasjet ndaj njëri-tjetrit, sikundër edhe me ecurinë e reformave të kërkuara nga BE.

1.1. Stadi i parë 

Më të avancuar në stadet integruese janë Mali i Zi dhe Serbia. Mali i Zi ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2008. Bisedimet për anëtarësim i ka hapur në vitin 2012 dhe po i vazhdon. Nga 33 kapitujt e shqyrtuar që Mali i Zi ka hapur 3 janë mbyllur. Shqetësimi më i madh ngelet korrupsioni, krimi i organizuar dhe shëndetësimi i ekonomisë. Deri tani antarësimi i plotë në BE i këtij vëndi shumë të vogël të Ballkanit Perëndimor është parashikuar për vitin 2026.

Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009. Bisedimet për anëtarësim Serbia i filloi në vitin 2014, por tensionet e vazhdueshme midis saj dhe Kosovës e kanë frenuar së tepërmi procesin. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës ngelet çështje themelore midis tyre. “Është vitale që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet midis tyre”, u shpreh Presidentja e Komisionit Europina, Ursula von der Leyen, duke shtuar më tej se “lehtësimi i dialogut nga BE është e vetmja platformë për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Por Serbia përballet edhe me qasje kontraverse gjeopolitike. Ky vënd, që është më i madhi i Ballkanit Perëndimor, ka ndërtuar marrëdhënie shumë të afërta me Kinën dhe Rusinë. Perëndimi në përgjithësi dhe BE në veçanti e ka paralajmëruar Serbinë lidhur me influencën e këtyre dy fuqive në Ballkanin Perëndimor. Orientimi gjeopolitik kontradiktor shumëvektorësh i Serbisë ka sjellë gradualisht rënien e interesit publik serb lidhur me integrimin në BE. Lidershipi Serb gjithnjë e më shpesh po dërgon sinjale të përziera lidhur me vërtetësinë e angazhimit të tij ndaj BE. “Gjatë gjithë këtyre viteve ne këmi dëgjuar rreth premtimeve për anëtarësim në BE” - shprehet kryeparlamentari Serb Ivica Daçiç. Dhe më tej Daçiçi thotë: “Pyetja shtrohet se cila gjeneratë do të shohë të përmbushur këtë premtim dhe ne do ta pranojmë këtë si realitet”.

1.2. Stadi i dytë

Në fazën e dytë të integrimit në BE në Ballkanin Perëndimorë janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2004, duke u bërë e para që hodhi një hap të tillë drejt BE. Mbas afro 20 vitesh bllokim nga Greqia për çështjen e ndryshimit të emrit dhe kapërcimit të këtij ngërçi mbas Marrëveshjes së Prespës të vitit 2019, Maqedonia e Veriu arriti të plotësojë gjithë kushtet për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Mirëpo Bullgaria, fqinji Lindor i Maqedonisë së Veriut i ka bërë bllokimin e dytë asaj për shkak të debateve lidhur me gjuhën dhe indentitetin kombëtar.

“Ne kemi ndamarrë gjithë hapat e nevojshme dhe kemi bërë gjithë reformat e kërkuara. Ne do të ndërmarrim gjithë hapat e mëtejshëm që të zhbllokojmë zgjerimin e BE dhe ne presim që Bullgaria të zhbllokojë procesin”, u shpreh gjatë samitit slloven, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Por, Qeveria Bullgare, e cila kërkon që Maqedonia e Veriut të njohë formalisht që gjuha e saj ka rrënjë bullgare, nuk ka dhënë akoma ndonjë sinjal për gadishmëri lidhur me heqjen e vetos. Nga ana tjetër, as vëndet e tjera anëtare të BE nuk kanë treguar ndonjë zell të veçantë për të përshpejtuar këtë proces.

Në stadin e dytë të integrimit në BE bën pjesë edhe Shqipëria. Ajo ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009. Por megjithë përpjekjet e bëra nga Shqipëria për reformat e kërkuara nga BE dhe përparimin që vëndi ka bërë, sërish bisedimet për anëtarësim akoma nuk janë hapur. Meqënëse drafti për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është i lidhur dhe lançimi i hapjes së bisedimeve për anëtarësim kërkon aprovimin unanim nga gjithë anëtarët e BE, vetoja e aplikuar nga Qeveria Bullgare ka bllokuar gjithashtu edhe Shqipërinë për të ecur në këtë proces. Kështu, Shqipëria po paguan faturën e Maqedonisë së Veriut. “Kjo aktualisht po na mban peng në një kohë kur ne i kemi përmbushur gjitha detyrat tona dhe presim që të ulemi në tryezë me BE për të hapur negociatat”, u deklarua nga Sllovenia Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

1.3. Stadi i tretë

Në stadin e tretë bën pjesë Bosnje-Hercegovina, e cila konsiderohet kandidat potencial i Bashkimit Evropian. Bosnje-Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2016. Por, sipas notës së Parlamentit Evropian, mungesa e stabilitetit politik të brëndshëm dhe e reformave politike në këtë vënd kanë dëmtuar perspektivën e vëndit për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian”.

1.4. Stadi i katërt

Në këtë stad bën pjesë Kosova. Edhe Kosova është vend kandidat potencial i Bashkimit Evropian. Një nga problemet themelore që Kosova ndesh në këtë proces integrimi është i lidhur me faktin se pesë anëtarë të BE - Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja - nuk e kanë njohur akoma Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. “Ndërkohë, e ardhmja e integrimit në BE e Kosovës - ashtu sikundër edhe e Serbisë - janë të lidhura ngushtë me lehtësimin e ndërmjetësimit të BE për dialogun e nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të shpjerë në një marrëveshje të gjërë ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, thekson Parlamenti Evropian. Ndërkohë hapi i radhës, që Kosova pret me padurim është liberalizimi i vizave nga BE, detyrimet ndaj roadmap-it të së cilës Kosova i ka kryer tanimë.

2. Integrimi i plotë me datë dhe pa datë

Në Samitin e Sllovenisë një nga pikat që u përfol më shumë dhe që pati edhe jehonë mediatike ishte deklarata e Kancelares Gjermane në ikje, Merkel, për të mos caktuar një afat për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo deklaratë është tipike diplomatike, pasi ajo duhet lexuar në dy anët e saj. Njëra anë do të japë mesazhin se vëndet e BE kanë shumë punë për t’u përgatitur për anëtarësim të plotë në BE e për këtë arsye duan shumë kohë. Mirëpo, kjo deklaratë ka edhe një lexim tjetër, sipas të cilit çdo vënd i veçantë i Ballkanit Perëndimore e ka derën hapur për në BE sipas ecurisë individuale dhe i pakushtëzuar nga të tjerët në rajon.

Moscaktimi i datës, pra, shpreh sfida brënda BE dhe brënda Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit të plotë. Në thelb moscaktimi i datës mund të konsiderohet si mosparagjykim i procesit të integrimit në Ballkanin Perëndimor. Mosparagjykimi mënjanon si demobilizimin e vëndeve Ballkanike për të vijuar me shpejtësi reformat e kërkuara nga BE, ashtu edhe presionin në rritje nga vëndet e Ballkanit Perëndimor ndaj BE.  

2.1. Cilat janë sfidat e BE

Politika e zgjerimit të BE është mjaft dinamike dhe e diversifikuar. Është dinamike nga zhvillimet politike brënda Bashkimit Evropian dhe varësi e ecurisë së sfidave të tij në kohë dhe hapësirë. Është e diversifikuar sepse në procesin e zgjerimit vendim-marrja është e kushtëzuar nga organizata e BE në tërësi, por edhe nga shtetet individuale në veçanti. Konsesusi midis organizatës dhe çdo shteti individual është themeli demokratik i natyrës sui generis të BE. Ky thelb e bën demokracinë e BE të ecë ngadalë, por të mos ketë kthime mbrapa.

Edhe Ballkani Perëndimor është ndeshur me këtë sfidë të demokracisë së BE, në rastin e vetos greke e tani vetos Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Nuk përjashtohet edhe ndonjë veto e Kroacisë ndaj Serbisë për problematikat midis tyre gjatë dhe pas luftës së viteve ’90-të.

Sfida e dytë e madhe brënda BE lidhet me qasjen e tij ndaj standardeve demokratike dhe reformave socio-ekonomike të ndërmarra nga vëndet e Ballkanit Perëndimor. Edhe në këtë aspekt brënda BE duket që vëndet anëtare kanë qasje të diversifikuara, varësisht nga qasjet individuale të tyre, të cilat jo domosdoshmërisht janë në të njëjtën linjë me organizatën. Ka aëntarë të BE që kanë vënë stabilitetin, pra stabilokracinë mbi demokracinë. Këta anëtarë në një farë mënyre kanë toleruar regjimet autoritariste në Ballkanin Perëndimorë, cënimin e shtetit ligjor dhe lirinë e medias.

Serbia është më së shumti një rast i tillë, e cila për hir të stabilitetit është toleruar në regjimin autoritarist të saj, me mangësi në sundimin e ligjit dhe respektimin e lirisë së medias. Por, ka vënde të tjera që vendosin strikt parimet, normat e vlerat demokratike mbi stabilokracinë. Këto vënde kanë parashtruar në vazhdimësi kërkesat e tyre për vëndet e Ballkanit Perëndimor. I tillë është rasti i Shqipërisë, që është vënë përballë kërkesave në rritje për demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias. Ky ngerë qasjesh kontraverse midis stabilokratëve dhe liberaldemokratëve i mban dyert e BE të mbyllura për Ballkanin Perëndimor.

Së treti, brënda Bashkimit Europian, sidomos mbas krizës migrative të viteve 2015-2016, ka një skepticizëm në rritje lidhur me valët e reja migrative të ardhur nga vëndet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian. I vënë përballë një presioni politik të brëndshëm në rritje dhe kritikave të partive nacionaliste Bashkimi Europian po e mban në krye të agjendës çështjen e emigracionit. Në këtë aspekt edhe kontradiktat ndërmjet shteteve individuale të BE janë të shumta e të thella, ngadonjëherë thuajse të pakapërcyeshme.

Dhe, së fundi, Bashkimi Evropian është entitet politik dhe gjeopolitik njëkohësisht. Politika e BE ndaj Ballkanit Perëndimor konsideron padyshim edhe kryqëzimet gjepolitike që mbikalojnë në hapësirat e tij. Prania dhe ndikimi i gjeopolitikës ruse në Ballkan drejpërsëdrejti dhe nëpëprmjet favoritëve të saj si Serbia, kryesisht në rrafshin gjeostrategjik; rritja e pranisë dhe ndikimit kinez mbi rajonin Ballkanik kryesisht në gjeoekonomi, tregëti e investime; interesi në rritje i Turqisë për të qënë më e pranishme dhe më ndikuese në hapësirën Ballkanike, duke u mbështetur në afiliacionet kulturore e fetare të saj në këtë hapsirë - demonstrojnë qartësisht se Bashkimi Evropian është përballë një agresioni gjeopolitik në rritje në Ballkanin Perëndimor, përballë të cilit BE nuk mund të qëndrojë pasiv, por përkundrazi lypet të jetë përherë e më i pranishëm dhe më influencial. Paketa prej afro 30 miliardë euro e alokuar për vëndet e Ballkanit Perëndimor nga BE për periudhën 2021-2017 tregon më së miri se BE tanimë është i vendosur që ta mbajë Ballkanin Perëndimor si domen të interesave të tij themelore e të gjithanshme.        

2.2. Cilat janë sfidat e Ballkanit Perëndimor

Ballkani Perëndimor është në proces stabilizimi, demokratizimi, zhvillimi socio-ekonomik dhe integrimi. Pra, ka përballë vetes thuajse gjitha sfidat e një hapsire dhe shoqërie në zhvillim. Në rrafshin politik Ballkani Perëndimor ka nevojë për stabilitet, funksionalitet, kohezion, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal. Në këtë aspekt nyja e pazgjidhur Kosovë-Serbi ngelet pika më e nxehtë që mban peng jo vetëm dy entitetet respektive, por direkt dhe indirekt edhe mbarë Ballkanin Perëndimor.

Në rafshin e demokracisë, Ballkani Perëndimorë përballet me sfidën e sundimit të ligjit, të respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave etnike, me problemet e keq-qeverisjes, mungesës së transparencës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vëndet e Ballkanit Perëndimor luhaten në ujërat e regjimeve hibride, pikërisht si pasojë e problemeve dhe mangësive të demokracisë, nga njëra anë, por edhe të ndikimeve të regjimeve nga hapsira gjeopolitike jashtë europiane. Në rrafshin e demokracisë, Ballkani Perëndimor ka rrugë të gjatë për të bërë deri në integrimin e plotë në BE.

Në rrafshin socio-ekonomik, Ballkani Perëndimor vijon të jetë një nën-rajon i prapambetur, krahasuar me BE. Zhvillimi ekonomik, niveli i investimeve të huaja direkte, vëllimi e bilancet tregëtare, infrastruktura, industria e bujqësia janë relativisht të prapambetura. Por, vitaliteti nuk u mungon vëndeve të Ballkanit Perëndimor. Ato kanë popullsi të re, të arsimuar dhe të kualifikuar, punëtore dhe ambicioze për përparim e zhvillim. Nga pikpamja sociale vëndet e Ballkanit Perëndimor vuajnë nga pabarazitë e thella, nga niveli i lartë i varfërisë, nga papunësia, pagat e ulëta, mungesa e kohezionit social, fragmentimet territoriale brënda vëndeve dhe në nivelin ballkanik. Arsimi dhe shëndetësia mbeten gjithashtu sfida sociale për Ballkanin Perëndimor.

Në rrafshin e integrimit Ballkani Perëndimor ka shansin historik për herë të parë në historinë e tij moderne t’i bashkohet kontinentit evropian. Gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor po ndërtojnë një sistem politik, demokratik, socio-ekonomik të njëjtë. Të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimor po adoptojnë vlerat, parimet, normat dhe kriteret e BE. Në fund të fundit, të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga ritmet dhe nivelet e zhvillimit të tyre individual, po përparojnë drejt Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian në tërësi dhe shtetet individuale të tij, lypet ta marrin në konsideratë këtë moment të ri historik të Ballkanit Perëndimor dhe ta mbështesin atë në të gjitha aspektet.

Duke folur për vëndet e Ballkanit Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se “ne jemi një familje evropiane, ne ndajmë të njëjtën histori, vlera dhe jam e bindur për të njëjtin fat… Ne kemi interesa të përbashkëta dhe mund të zhvillohemi më mirë sëbashku. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët duhet të përparojë. Mesazhi im për Ballkanin Perëndimor është: ne ju duam në BE, vazhdoni me reformat, qëllimi është para syve tanë”.

©Lisen Bashkurti