Kolumnist

Vendi i vogël me digat e mëdha - Nga Nador Bakalli

Nuk u besova syve kur e lexova… Shqipëria jonë e vogël mban vendin e dytë në Europë për numrin më të lartë të digave të mëdha.

Po, 1008 diga të mëdha ka aktualisht vendi ynë! Brazili dhe Kanadaja, dy nga vendet më të “lagura” nga burimet hidrike të rinovueshme në planet, kanë numër të përafërt digash me ne. Me pak fjalë, ne kemi ngritur një seri malesh prej betoni mbi lumenjtë tanë dhe ende nuk përmbushim dot nevojat tona për energji. Diçka nuk shkon.

Tani, dashuria jonë për betonin dihet. Po ashtu dihet edhe nostalgjia për vepra madhore në disproporcion total me interesin publik apo me studime bazike fizibiliteti. “Fierza ishte vepër madhore”, - thonë disa nostalgjikë. Ajo që nuk thuhet është se partia, kur ndërtoi Fierzën me si-vëllezërit kinezë, kishte bërë hesapet se çdo familje shqiptare do të ndizte dy poça dhe ndonjë televizor maksimumi. Kaq e kishte partia vizionin për vendin, thjeshtë minimum jetik. Përjetësisht! Dhe vizioni dha frytet e veta; pas viteve 90’ të pëllciste siguresa në fytyrë sapo ndizje poçin e trete apo vendosje në punë ndonjë elektro-shtëpiake.

Sot, pas 30 vjetësh, edhe pse për arsye të ndryshme, vizioni ynë mbetet i cunguar. 700 diga na u bënë peshqesh nga partia. Dakord. Po këto 300 e kusur të tjerat?

Shqipëria ka ndërtuar me mijëra masivë betoni duke shkatërruar burimet ujore dhe shkaktuar dëme ekologjike të jashtëzakonshme, në favor të strategjisë së furnizimit me energji elektrike ekskluzivisht nëpërmjet burimeve të rinovueshme hidrike.

Sot e gjithë ditën, blejmë energji me çmime marramendëse. Pra, betoni nuk na mbulon dot as nevojat tona, jo më të na kthejë në eksportues energjie apo përralla të tjera të kësaj natyre.

A e dinë mendimtarët e qeverisë se Shqipëria ka mesatarisht 280 ditë diell në vit? A e dinë se në Qafën e Bullit në zonën midis Burrelit dhe Peshkopisë era nuk ndalet kurrë, madje po nuk tregove kujdes te hedh me gjithë makinë tutje? Sigurisht që po. Por ama ne dhe ata së bashku, e dimë se nuk është aq kollaj të justifikosh dhe të shesesh liçenca për përdorimin e diellit apo të erës se sa është për përdorimin e lumit.

Kriza energjitike për mua fillon dhe mbaron këtu!

Tabela e mëposhtme ndodhet në faqen 139 të librit “International Disaster Management”, edicioni i 4-t, i autorit Damon P. Coppola.

P.S. Hidhini një sy motit se ndoshta bie shi i madh këtë dimër dhe nuk do jetë aq keq puna…

©Nador Bakalli