Kolumnist

Neokomunisti Lulzim Basha - Nga Ylli Manjani

Ideja e vetting-ut të politikanëve (ide unike kjo) nuk vjen për herë të parë në vemendje të publikut. PD e Lulzim Bashës bëri ekzaktësisht të njëjtin propozim në Shtator 2018. Edhe atëherë si sot, dukej si taktikë politike për t’u bërë interesant para publikut nga njëra anë dhe, për të bërë që të duket keq qeveria nga ana tjetër.

Edi Rama i stërvitur me kësi taktikash diversive (i luan vetë më mirë se kushdo në fakt), pyeti Komisionin e Venecias për këtë ide.

Komisioni i Venecias me shumë elegancë dhe me shumë argumente e bëri copë këtë ide, të rrezikshme për demokracinë dhe shtetin ligjor.  Në tekstin e atij raporti gjenden konkluzione të forta që në thelb nxisin vetting-un e politikanëve nëpërmjet rregullave normale të procesit të rregullt.

Madje në një paragraf Komisioni thekson se “… me kaq shumë procese të posaçme rrezikohet të sfumohet procesi i rregullt ligjor siç kërkon Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut…” Pra vetting bëni sa të doni - thotë Venecia, por brenda kuadrit normativ të bollshëm. Venecia gjithashtu thotë se …. Vetting-u i gjykatësve dhe prokurorëve nuk mund të përdoret automatikisht si mekanizëm edhe për politikanët…”

Me pak fjalë kjo është çështje e mbrotjes së demokracisë pluraliste e cila vihet në rrisk të lartë nga abuzimi me veting në emër të një qëllimi të mirë.

Mirëpo kujt ia tha?

Luli dogji mandatet duke përdorur si justifikim populist edhe mosmiratimin e këtij ligji komunist nga Rama.

Sot Luli me të njëjtën vendosmëri neokomunisti prezanton përsëri këtë ide idiote, përsëri për arsye taktike, por tashmë për të sfumuar doktorin.

Në thelb ai sot prezanton veten dhe partinë e tij si një organizatë e Frontit Demokratik komunist, pra si levë e partisë që qeveris.

Leva, apo rripi i transmisioni, ka për mision të dënojë shfaqet e huaja, luksin, ndenjen me individë të deklasuar. PD e djathtë e Lulit po kërkon rivendosjen e luftës së klasave, luftë e cila fillon me “pushkatimin”/vetting-un e deputetëve të pabindur. Korrupsioni është loja. Është qëllimi që e hanë të gjithë…

Kjo është e pabesueshme për t’u treguar, por është realiteti ku jetojmë!

E rëndë është të shpresosh më shumë që “Rilindja” të marrë vendime më prodemokraci se sa Partia Demokratike e Lulzim Bashës.

Zyrtarisht, për sa thotë, vepron e propozon, Lulzim Basha është komunist. Një komunist që ka zaptuar PD dhe padrejtësisht dhe opozitën zyrtare.

©Ylli Manjani