Kolumnist

Vetting deputetëve duke shkelur të drejtat qytetare kushtetuese - Nga Artan Fuga

Çfarë po ndodh me opozitën? Opozita në Kuvendin e Shqipërisë ka konceptuar një projektligj të gjatë me stërhollime juridike lidhur me atë që edhe deputetët t'i nënshtrohen vettingut, pra të spastrohen të korruptuarit. Bukur fort!

Ne qytetarët, më shumë se qeveria, më shumë se deputetët, madje sa edhe deputetët e opozitës, jemi të interesuar të kemi deputetë jo vetëm të pastër nga korrupsioni, por mundësisht edhe pa privilegje që duket se i kanë me shumicë. Nuk mund të ketë mirëqënie më të lartë një deputet sesa një qytetar i mesëm shqiptar. Sepse pastaj i pari sulmon deputetllëkun për privilegje, nuk shkulet që andej, dhe jo për të shërbyer.

Vetëm te libri “Utopia” i Tomas Morit me fantazi therëse tregohet sesi shërbëtorët shiheshin si më të pasur se zotërinjtë. Kurse në shtetin tonë është sa absurde aq edhe diskredituese të shohësh se kemi deputetë të pasur dhe qytetarë të varfër. Shërbyesi është më i pasur se i shërbyeri. Kaq duhet për të kuptuar se çfarë ndodh.

Opozita mirë që dëshiron deputetë të pakorruptuar, por nuk duhet të harrojë se kjo nuk mund të bëhet duke shkelur të drejtat qytetare dhe aq më shumë, duke i vënë deputetët në survejimin dhe presionin permanent të kryetarëve të partive, të dy a tre deputetëve të çdo grupi parlamentar, aq më pak duke i vendosur nën survejimin e përditshëm të organeve hetimore.

Kështu në vend të vemë vetullat nxjerrim sytë. Edhe kaq sa është, deputeti shqiptar ndodhet nën urdhërat e partisë dhe aspak nën kontrollin e elektoratit. Opozita me një yrysh zelli antikorrupsion po mëton t'i telendisë deputetët në atë grade, sa çdo deputet të jetë nën shpatën e Demokleut të kryetarit të partisë, i cili i pajisur me forcën e organeve të hetuesisë, i bën çeço deputetët e vet. Më mirë pa deputet fare sesa me një deputet të trëmbur, të survejuar, nën ndjekje permanente, dhe që është një kukull në duart e kryetarit të partisë.

Projekt-ligji i stërzgjatur i juristëve të zellshëm opozitarë (pa logjikë politiko-filozofike) kërkon pastërtinë e deputetëve dhe mirë e bën, por harron pikërisht atë se një shoqëri e mire nën kontroll policor është edhe më e keqe sesa një shoqëri me korrupsion. Kollaj fare. Vëri çdo shqiptari nga një polic ta ndjekë në nevojtore, në krevat, te shitorja e lagjes dhe e sigurt, që nëse polici nuk korruptohet, asnjë vjedhje nuk do të kishte. Por kjo shoqëri pa vjedhës, por me polic te dera, produkt i mungesës së fantazisë, na çon te një shoqëri policeske që as në ëndërr mos të të dalë.

Lexoj tekstet e gjata të projektligjit të propozuar nga opozita dhe nga neni në nen më zë tmerri nga pasojat që mund të vijnë që andej. Pyes: ku e kanë gjetur këta juristë këtë model që na propozojnë? Nuk besoj ta kenë gjetur në të Drejtën romake, nuk besoj në Parlamentin anglez, në Senatin amerikan, në Asamblenë Kushtetuese të Luigjit të 16!? Ku?

Ata e kanë detyrë të na japin referencat e tyre në korpusin ligjor të traditës a të sotmes, sepse përndryshe në ajër nuk mbështeten ligjet. Nuk na kanë treguar madje edhe nenet e kushtetutës ku mbështeten për të konceptuar projektligjin e tyre, sepse sipas së drejtës formaliste, asnjë ligj i ri nuk mund të dalë përtej kuadrit kushtetues të një vendi. As e marrin mundimin ta thonë! 

Jurisprudenca nuk është art, ku artisti nën impulset e veta kreative i jep lirshëm fantazisë së tij artistike duke na habitur me risitë që sjell!

Deputeti duhet të dorëzojë në SPAK, a në një nënstrukturë më vete brenda tij, një deklaratë që "nuk është i korruptuar" dhe në një rast të kundërt, ky vetëdeklarim mund të përdoret si provë për fajësimin dhe dënimin e tij!? Nuk u besoja syve!

Një qytetar i zakonshëm, pra që dëshiron të ushtrojë profesionin e përkohshëm të deputetit, duhet të vetëdeklarohet i ndershëm në organet e drejtësisë!? Por, ne, kushtetuta, të gjithë si qytetarë, na njeh si të ndershëm sa kohë nuk jemi zënë në vepra antiligjore. Përse duhet qytetari që do të bëhet deputet të deklarojë ndershmërinë e tij të pafajshme? Çfarë është ky presion psikologjik dhe juridik?

Dhe mbi të gjitha propozohet një strukturë e veçantë që të hetojë e kontrollojë që deputetët nuk marrin të ardhura të paligjshme? Hap sytë i çuditur!? Korrupsioni, vjedhja, abuzimi financiar, jo për shkak të detyrës, është një krim që nuk njeh ndonjë specifikë për qytetarë të ndryshëm, me statuse të ndryshëm. Ke vjedhur, ke bërë korrupsion, ke abuzuar financiarisht, ke kryer një krim, vendin e ke në burg. Nuk ka nevojë për struktura specifike të drejtësisë dhe hetimit. Nuk ka nevojë për dy sisteme hetimi, a të drejte.

E kanë harruar juristët e opozitës se kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare njohin me përparësi barazinë e qytetarëve para ligjit? Apo e quajnë fjalë në erë, kurse praktikisht nisin të aplikojnë dy lloj drejtësish, procedurash, sistemesh hetimi?

Deputeti që bën korrupsion të shkojë në prokurori siç hajduti më ordiner, të gjykohet sikurse gjykohet një vjedhës xhepash a një vrasës dhe të përfundojë në biruca njësoj si mashtruesi financiar më banal.

Projektligji i zvargur që na paraqesin juristët e opozitës është edhe më katolik se Papa! Mirë që pasuritë e deputetëve duhet të kontrollohen sikurse ka edhe tani agjenci që duhet ta kryejnë, por, në raste të veçanta, pra kur t'ja dojë qejfi dikujt, të kontrollojë edhe pasuritë e të afërmëve të deputetëve, edhe më akoma, të miqve të deputetëve!? Po të komshinjve? E kuptojnë juristët e opozitës se ku kanë shkelur dhe çfarë kanë shkelur me çizmet a këpucët e tyre?

Unë kam dy a tre deputetë miq. Tani duhet të pranoj si qytetar i lirë që të më kontrollojnë xhepat për shkak të miqësisë sime? Hajde gjeje se kë ke mik, kë shok, kë gjoja mik? Kush do ta përcaktojë miqësinë o jurista? A e kuptoni çfarë do të thotë të ushtrosh presion mbi qytetarin në punë të tij vetëm për shkak të miqësisë me ndonjë deputet bandill? Po miqtë e kalamajve, grave a burrave të deputetëve, po miqtë e kunetërve, baxhanakëve, dajave, xhajave, etj?

Mua më vjen turp të zgjatem më tej në këtë pikë sepse përfshirja parimisht në hetim vetëm për shkak të miqësisë që një qytetar ka me një tjetër, është thjesht një ndëshkim dhe presion kolektiv që ndalohet nga parimet juridike bazë të këtij vendi.

Deputeti na u quaka i korruptuar jo vetëm kur e meriton të shkojë në birucë si hajdut, plaçkitës, mafioz, por edhe për shkak të kontaktit me rrethe ose individë me precedentë ose aktivitet penal?

Fërkoj sytë dhe nuk i besoj vetes se çfarë lexoj. Por, a ma jepni dot përkufizimin e fjalës "kontakt"? Kontakt telefonik, pirje kafe, kontakt seksual, kontakt me anë të vështrimit?

Dënohesh si dreqi nëse je në grup të organizuar kriminal, të provuar, por jo për shkak të "kontakteve". E para sepse ti nuk e di që kontakti yt është i inkriminuar dhe deri sa kjo nuk është provuar, nuk ke përse të penalizohesh. E dyta, sepse deputeti mund të kontaktojë si çdo njeri edhe një ish të dënuar. Këta nuk janë leprozë! Deri në një t'ia paguajnë shoqërisë gabimet, dëmet e shkaktuara dhe fajet e tyre, por pasi i kanë larë hesapet me drejtësinë, ata janë qytetarë me të drejta si gjithë të tjerët. Pra, duhet gjetur bashkëpunimi midis politikanit dhe banditit, por kjo nuk mund të bëhet duke penalizuar "kontaktin" sepse ky term i fundit nuk përbën faj në Kodin Penal. Këta juristë nuk mendojnë vallë se po kapërcejnë edhe Kodin Penal të Republikës?

Unë përpiqem të qendroj me miq e shokë më të ndershëm se vetja, por nëse do të më pëlqente të qendroja në kafe dhe me ish-hajdutë, të dëgjoja histori burgu prej tyre, përse do të më pengonte kjo të bëhesha deputet? E njohin këta juristët të drejtën hyjnore të krishterë kur Jezusi shprehej se mjeku qendron me të sëmurin dhe jo me mjekun tjetër? 

Hap sytë kur lexoj se ata që janë shpallur të korruptuar nga një gjykatë, janë dënuar, etj., nuk kanë të drejtë më të zgjidhen deputetë. Ah, kjo pooooooo! Duket se i vjen për shtat midesë të ndonjë zyshe kujdestare të klasës fillore. Ore zotërinj a e dini se veç burgimit të përjetshëm nuk ka dënime për gjithë jetën? A e dini se parimi bazë i drejtësisë nuk është dënimi si qëllim, por edukimi dhe rifutja e të dënuarit në komunitet? Hiqen të drejta qytetare për periudha kohe, por jo përgjithmonë. I dënuari që ka shlyer dënimet e tij, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Nuk mund të privohet përjetë nga të drejtat e tij politike.

Dhe për t'a vendosur nën zap deputetin e ndershëm si qershi mbi tortë na u krijokan komisione në Kuvend ku juristë të rekrutuar nga Kuvendi, pra nga kryetarët e partive, survejojnë dhe kontrollojnë deputetët!? E frikshme! Imagjinoni deputetin që survejohet kë ka mik, me cilin pi kafen, çfarë bën vëllai i tij, kush janë miqtë e tij që kanë të ardhura jolegale ose gjysëm legale, etj.

Pse opozita na zhgënjen kaq rëndë në veprimtarinë e saj? Pse tregon këtë zell të zjarrtë që duke dashur të na vejë vetulla na nxjerr sytë? Çfarë dreqin ka? Ka defiçit besimi në elektorat dhe kërkon ta rifitojë? Ka frikë nga foltoret dhe kërkon t'i rivalizojë? Kërkon të tërheqë vëmendjen drejt vetes? Dëshiron të rreshtojë deputetët nën hyqmin e rënduar të kryetarit? Kanë devijim profesional dhe mendojnë se me nene dhe formulime juridike mund të zëvendësojnë realitetin? Apo pak nga të gjitha?

Kështu uzurpojnë edhe më fort Kuvendin. A e dini se një qytetar pa kaluar sot nën kamzhikun e kryetarit të partisë nuk bëhet dot kurrë deputet? A nuk mendoni si të hiqni kontrollin e dy partive kryesore që kanë uzurpuar gjithçka?

A nuk mendon opozita se me këtë projektligj po bie në po të njejtin det të hierarkizimit vertikal të vendimarrjes politike? A nuk mendojnë se duhet shkurtuar numri i deputetëve? A nuk na thonë dot për atë që deputetët kanë privilegje? A nuk mendojnë për një ligj që kur një deputet është me precedent kriminal të konsiderohet kryetari i partisë që e ka vendosur atë deputet si pjesëmarrës në grup kriminal të organizuar? Absurde ta mendosh? Dakord. Po aq absurde janë edhe ato që propozohen. A nuk mund të mendojnë ta zhveshin deputetin nga çdo lloj imuniteti kur e kërkon drejtësia të hetohet e ndalohet? A ka mundësi t'a heqin zgjedhën e shkarkimeve dhe paralajmërimeve që kryetarët e partive u bëjnë deputetëve?

Cfarë trishtimi kur sheh opozitën që është e pushtuar nga kjo mendësi piramidale dhe ti ke kujtuar se kanë frymëzim politik liberal e demokratik! Kur e sheh që prodhon të njejtën antidemokraci sikundër ajo e shumicës që ka bashkuar në një të gjitha pushtetet!

Dhe pastaj nuk të vjen asfare çudi që opozita i drejtohet me këto nene që shkelin liritë dhe të drejtat qytetare shumicës për të bërë sëbashku antikorrupsion antidemokratik. Se edhe Enveri në burg i fuste vjedhësit!

©Artan Fuga