Një lexim i dorëheqjes së Zoran Zaev - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Në Kosovë njohuritë për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut janë, fatkeqësisht, sipërfaqësore. Kjo edhe për shkak se shumica e mediave kosovare nuk kanë korrespondent/e në Shkup apo Tetovë. S'ka vazhdimësi në raportime. Interesimi rritet pak kur ndodh ndonjë gjë në Maqedoninë e Veriut (përleshja me armë në Kumanovë më 2015, sulmi ndaj parlamentit në Shkup më 2017), pastaj mbretëron heshtje.
Pas zgjedhjeve komunale të së dielës dhe dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, ngarendja për të interpretuar këtë gjest politik mund të jetë e madhe edhe në Kosovë, sidomos në mediat sociale. Por, nganjëherë më mirë është të lexohen mendimet e njohëseve më të mira të situatës politike në Maqedoninë e Veriut.
Lura Pollozhani, ish-këshilltare e kryeministrit maqedonas dhe doktorante në Universitetin e Grazit, ka shpjeguar në Twitter tërmetin politik në Shkup. Ajo shkruan se Zoran Zaev nuk është dashur të japë dorëheqje. Për disa arsye: Zaev e ka fituar mandatin nga qytetarët e Maqedonisë, jo si shef i Petre Shilegovit, kryetar i deritanishëm i Shkupit, i cili humbi në raundin e dytë të dielën. Sipas Pollozhanit, këtë vit në zgjedhjet lokale janë shfaqur shumë aktorë të rinj, andaj është me rëndësi të ndahen zgjedhjet komunale nga ato nacionale për të thyer monopolet partiake. A jep dorëheqje Presidenti i SHBA-ve nëse partia rivale fiton Senatin apo Kongresin, të cilat janë më afër pushtetit nacional se zgjedhjet komunale?
Nuk është Zaevi ai që duhet të dëshmojë cilësitë e tij demokratike, por VMRO, e cila përherë ka lozur muzikën e rrezikshme, të kompozuar nga Nikolla Gruevski, shkruan Lura Pollozhani. Si qytetare, nënvizon ajo, jam e shqetësuar mbi zgjedhjet e ardhshme, retorikën e tyre dhe regresin karshi përparimeve (që nuk qenë të mjaftueshme). Ekziston një dallim i madh mes partive, jo të gjitha janë të njëjta.
P.S. Mund të shtojmë këtu se Zoran Zaev zyrtarizoi gjuhën shqipe, në kabinetin e tij iu dha poste ministrore përfaqësuesve shqiptarë si asnjë kryeministër tjetër, në politikën e Jashtme u tregua fleksibël dhe ndryshoi emrin e vendit. BE nuk e shpërbleu për këtë veprim, por Zaev arriti ta anëtarësojë Maqedoninë e Veriut në NATO. Kjo është meritë e tij historike. Zaev po ashtu mbajti raporte korrekte me liderët shqiptarë në rajon, në dallim nga Nikolla Gruevski, i cili në fund të karrierës së tij politike ishte më shumë një figurë shahu e qarqeve të Kremlinit.
©Enver Robelli










