Kolumnist

Foltorja përtej demokratëve dhe Gogoli i Ambasadorokracisë - Nga Andi Bejtja

Mbrëme, teksa nismëtarët e Foltores po dorëzonin 4200 firmat për mbledhjen e kuvendit, në shtepine time zhvillohej një tjetër debat. Njëri prej fëmijeve duhet të gjente një uniforme të veçantë, ekstra, pasi në shkollë do të vinte për vizitë zv. Ambasadori Anglez, mesa kuptova për ditën e të rënëve…Shkurt dhe shqip duhej respektuar dhe me uniformë ekstra.

Duket sikur këto dy ndodhi nuk kanë fare lidhje me njera-tjetrën, por në fakt kanë shumë.

Kjo Foltore në rrethanat në të cilat ndodh që nga ‘Non-Grata’ e Sali Berishës, mosha e tij, ndërhyrja brutale e një ambasadoreje në punët e brendshme të një partie politike, reagimi i një pjese të kupolës së kësaj partie si Zyrë Përmbarimi e kësaj ambasadoreje, janë nga ato ngjarje që ndodhin një herë në 100 vjet dhe o e lënë demokracinë dhe shoqërine në vend, o e çojnë më mbrapa, o çlirojnë një brez të tërë nga Gogoli i Ambasadorokracisë, pse jo dhe përtej konceptit.

Ndaj, misioni i Foltores është ndoshta pa vetëdije përtej demokratëve dhe shumë përtej opozitës. Foltorja, i jep një shans jo vetëm politikës shqiptare të mos bëhet më një Zyre Përmbarimi e ambasadave, ciladoqofshin, rrëzon një herë e mirë mitin e Ambasadorokracisë në shoqëri, sjell sovranitetin të varrosur për dekada dhe çliron një gjeneratë të tërë nga këto makthe të injektuara me vite e vite nga servilizmi dhe mungesa e dinjitetit ndaj të huajve.

Pas perfundimit me sukses të misionit të Foltores, nuk besoj që do ketë më shqiptarë që do të duan të bëjnë foto me ambasadorët rrugeve dhe shkollës së djalit tim nuk do t’i shkojë ndërmend të ftojë ndonjë zv.ambasador për vizitë. Ndaj, suksesi apo dështimi i Foltores do jetë automatikisht dhe suksesi ose dështimi i një gjenerate.

©Andi Bejtja