Ja pse Akademia e Barinjve është e domosdoshme - Nga Ilir Gjini
E prita me entuziazëm lajmin për hapjen e Akademisë së Barinjve. Jo për gjë, po është mirë që njeriu t’i marrë dijet me shkollë, jo vetëm me praktikë si qëmoti…
Në punën si gazetar më ka lënë shumë mbresa barinjtë, për jetën e tyre nomade, e në veçanti një bareshë nga Luzati i Tepelenës që mbarështronte plot 400 kokë dele. Krahas kërrabës ajo luante bukur edhe meloditë me fyell. Bari pa kërrabë e fyell zor se gjen në anët tona. Po ç’e do, pa Akademi. As atë të Arteve, e jo më të Barinjve.
Nejse, megjithëse kisha ca njohuri nga baritologjia, nga një episod i mëvonshëm kuptova që duhet t’i thelloja njohuritë nga puna e bariut.
Teksa po përpiqesha të raportoja një krim (vrasje) i hodha një sy raportit të oficerit të policisë gjyqësore ku shkruhej:
“një dëshimtar okular e përshkruan vrasësin - mesoburrë me shtat të shkurtër, i veshur me një bluzë me ngjyrë kulloshtre”!
Vrisja mendjen ç’dreq ngjyre qe kjo “kulloshtra”? Për fatin tim, njëri nga policët në vendngjarje që e kishte zanat edhe profesionin e bariut, më sqaroi se ishte ca më e verdhë se qumështi.
Kulloshtër quhet qumështi kur lopa është lehonë - vazhdoi polici sqarimin…
Eh, thashë me vete duhen thelluar njohuritë!
Prandaj lajmi i Akademisë është lajm i gëzuar. Jo për gjë, po edhe udhëheqësit, barinj të popullit janë. E mbani mend si iu drejtua Kryeministri popullit para zgjedhjeve:
“Vetem delet nuk do votojnë Partinë Socialiste”.
Dolën që nja 700 mijë e ca, qenë të opozitës. Pra dele jashtë stanit të qeverisë. Dhe këto dele kanë nevojë për bari të urtë që mos na hapin probleme… sepse në stanin e qeveriut punët janë të ndara. Dikush merret me mbarështrimin, një tjetër me mjeljen, e në fund me specialitet të veçantë qethja e stanbuxhetit.
Meqë opozitës ia rrëmbyen kërrabën nga dora në 25 të Prillit, bariut Basha me dekret ambasadorial i dhanë një rol engledisës - atë të fyellxhiut. Më mirë një opozitë dele e një bari me fyell, sesa një opozitë në shesh. Por duke qenë se fyelli kërkon talent, Basha po stonon në stanin opozitar.
Duke mos e pranuar statusin e “qinjgjit” blegërues, populli opozitar po kërkon një bari tjetër që nuk e lë në baltë. Prandaj Akademia e Barinjve-Çobanë ēshtë kaq e domosdoshme.
Lumja ti moj Shqipëri, t’u shtua edhe një Akademi baritore!
©Ilir Gjini











