Kolumnist

Jo 29 Nëntorit, sepse historinë s’mund ta bëjnë “fitimtarët” kriminelë! - Nga Taulant Dedja

Nuk është hera e parë që shprehem mbi ketë temë, por për reflektimin e sotëm nuk e fsheh që u motivova edhe nga disa statuse që lexova në rrjetet sociale, statuse të cilët vazhdojnë haptazi me stilin e interpretimit të historisë sipas shkollës kriminale enveriste, stilin e Shkollës së Partisë “Vladimir Iliç Lenin” apo Institutit të Studimeve M-L, të drejtuar nga Merimanga e Zezë.

Ky është shëmbulli i padiskutueshëm që ne ende nuk e kemi berë katharsis si shoqëri. Nëse do perifrazoja Atin e Kombit, Ismail Qemalin, u demokratizua Shqipëria, por duhen demokratizuar shqiptarët. Dhe ky është imperativ historik.

Nuk e di a është e vërtetë, por nëse po, është ulëritës fakti që sot ende ka deputetë në Parlamentin e RSH që bëjnë statuse urimi me surratin e kriminelit Enver Hoxha. Imagjinoj dhe pyes veten: ç’mund të ndodhte në Kanada, nëse larg qoftë, një deputet do deklaronte që Holokausti ndaj hebrenjve ka qenë fiction?!

Sa mjerim që ende diskutohet kur iku gjermani i fundit, që kish marrë me kohë urdhër të ikte, apo sa ushtarë gjermanë e italianë u vranë në Shqipëri! Sa mjerim që ende drejtues të shtetit shqiptar vazhdojnë të kremtojnë si datë çlirimi datën e vendosur nga komunistët vetëm për servilizëm ndaj Titos dhe padronëve të tyre jugosllavë!

Greqia ka festë kombëtare 25 Marsin dhe ditë përkujtimore 28 Tetorin. 25 Marsi është festa e pavarësisë, ndërsa 28 Tetori, përkujtohet si dita kur Greqia i tha “Jo” ultimatumit të Musolinit më 1940. Meqë dhe Franca nuk ka datë zyrtare çlirimi në raport me Luftën e Dytë në kalendarin e festave të saj zyrtare, po citoj rastin e Italisë që ka për datë zyrtare çlirimi 25 Prillin. Data 25 Prill u caktua me marrëveshje në vitin 1946, sepse korrespondonte me ditën e çlirimit të qyteteve të mëdha, Milanos, Torinos dhe Gjenovës në vitin 1945. Italia, vendi që u çlirua nga anglo-amerikanët nuk u lodh të gjente kur u largua gjermani i fundit nga territori i saj.

Djalli e marrtë kaq e vështirë ishte për ne shqiptarët që edhe pas 31 vjetësh përmbysjeje të diktaturës ende të mos fshihej një herë e përgjithmonë nga kalendari i festave zyrtare, festa e jugosllavëve?

Turp për palo Akademinë e Shkencave që nuk i dha dot zgjidhje këtij skandali historik, sikurse dhe turp që ende historianë e gjithologë sahanlëpirës të Bllokut dhe pasardhësve të Bllokut, vegjetojnë ende duke bërë “shkencë” me paratë e takspaguesve shqiptarë!  

Sipas meje, kur të mos përmendet më, kur të fshihet përfundimisht nga kujtesa kolektive dhe historiografia zyrtare si datë çlirimi 29 Nëntori (që në fakt është dita e pushtimit gjakatar komunist), ne do çlirohemi përfundimisht nga titisto-enverizmi dhe nga e kaluara makabre 1945-1990.

Ka edhe një pyetje që mund të shtrohet gjithashtu sot: çfarë do të kishte ndodhur nëse në Shqipëri nuk do ishte organizuar fare e ashtuquajtura Lëvizje Nacional-Çlirimtare (sipas meje Nacional-Shkatërrimtare)? Pra çfarë do të ndodhte nëse do vazhdonte Shqiperia neutrale (sipas statusit të garantuar që kur u njoh pavarësia) edhe pse nën italianët dhe gjermanët që na bashkuan me Kosovën?

Për mendimin tim, asgjë më e keqe se e keqja ekstreme që përjetuan shqiptarët 45 vjet dhe që ende po vuajnë pasojat nën thundrën e bijve të atyre që ishin në “anën e duhur të historisë” dhe që nuk ngurruan të çonin në litar edhe poetët.

Jalta (ku vendosi dhe krimineli gjakatar Stalin) i la kufijtë e Evropës, pak a shumë siç ishin para Luftes së Dytë. Në Shqipëri do ish kthyer Mbreti Zog, themeluesi i shtetit modern për kohën dhe drejtuesi legjitim i tij, që nuk e firmosi pushtimin, apo aneksimin nga Italia. Sigurisht për pengimin e Zogut dhe ardhjen e Enverit punuan fort jugosllavët!

Ku jemi sot?

Akoma te diskutimi partizanët apo ballistet (këta të dytët nuk u shitën kurrë te jugosllavët e Miladinit dhe Dushanit). Akoma sot jemi te 28-ta apo 29-ta dhe 29-ta është data e jugosllavëve. Për të vënë kujën!

Çfarë fituam nga marrja e pushtetit prej Enver Hoxhës dhe bandës së tij?

Vrasje, persekutime, shpërfytyrim social dhe shpirtëror, varfëri dhe mjerim!

Jam shumë i bindur që çdo qeveri jokomuniste do ta kish bërë njëqind herë më të begatë Shqiperinë!

Ndaj, o gjithologë neomarksistë, ju lutem boll me tezën se historinë e kanë shkruar fitimtarët dhe për rrjedhojë edhe 29 Nëntorin e kanë vendosur fitimtarët (me kë e diskutuan me që ra fjala?), se ata “fitimtarë” që ju përmendni, janë kasta më kriminale në gjithë historinë e shqiptarëve!

©Taulant Dedja