Kolumnist

Nuk ka më internime, e vetmja gjë që më gëzon pas 30 vitesh - Nga Artan Fuga

Nuk ka asgjë të keqe që secili të tregojë historitë e veta të tridhjetë viteve më parë. Dikush e ka parë Historinë nga tribuna, dikush nga auditori, dikush nga krevati i ngrohtë, dikush duke shitur cigare, fiq, brekë, byrekë, dikush nga qelia e burgut, dikush duke bërë seks, apo kujton se edhe atëhere ka qenë, ndonëse ka lindur më pas.

Asgjë të keqe, të gjithë shfryjmë strese, inate, nostalgjira.

E keqja nis, sikurse thotë postpozitivisti Sir Alfred Ayer, kur secili kujton se historia e vërtetë është ajo që ka ndjerë ai, që ka perceptuar ai, që ka parë ai, me sytë e tij!

Sikurse argumenton bukur Alfred Korzbiskij, në këtë rast kemi një patologji sepse atë që kemi brenda nesh kujtojmë se është realiteti. U japim përjetimeve tona realitet sikurse bënte njeriu primitiv që u jepte shpirt pemëve, gurëve, diellit, etj.

Njeriu ka prirjen psikopatologjike të kujtojë se ndodhet para së vërtetës historike dhe nuk kupton shpesh se është vetë dëshmitar i një skene beteje të vogël, parë me subjektivizmin e tij, por jo i Betejës!

Lëre, po ka ca pocaqi historianë që duan të na mbushin mendjen se nga rrëfimet e të gjithëve del e vërteta e Madhe e Historisë. Përkundrazi, asgjë nuk del sepse akumulohen edhe të gjitha subjektivizmat, psikopatologjitë, deliret, bashkë me të vërtetat dhe bëhet një top balte që pas 100 vjetësh ua mësojnë brezave që vijnë, si Historia Objektive!  Pika historisë objektive!

***

Atë Dhjetor gri, kishte parrulla ndriçuese si dielli! Asnjë nga ato pas 30 vjetësh nuk është realizuar! Të shohim pas 300 vjetësh!

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe të futemi në BE?

E dini rezultatin! Presim Afganë! Kaq mundemi, mirë edhe kaq!

Bashkim Kombëtar me Kosovën?

Çfarë shakaje! Kemi thjesht Ballkanin e hapur si buzëqeshje ndaj Serbisë, me Kosovën kundër! Trau na ndan!

Shqiptarë të pasur, pronë, të drejta politike?

Varfëria në kulm dhe prona mbetet ndonjë ngastër mbi ujë, e ndonjë copë dyqani ku shiten mallra të vjetra. Hë edhe Gabi!

Demokraci?

Hahahahaha! Asnjë parti që humbet nuk njeh zgjedhjet, qeveris gjithmonë pakica, Kuvendi një teatër kukllash, o Zot!

Shtet ligjor?

Pas tridhjet vjetësh tërmet në Pallatin e Drejtësisë dhe ende nuk duket gjë!

Kulturë Perëndimore?

Nuk gjen një trupë të huaj të vijë të performojë, lëre universitete, shkolla, shkencëtarë! Izolim total!

E vetmja gjë që më gëzon, nuk ka më internime!

Diku është gabuar. Nuk e them dot këtu, por në libra po!

©Artan Fuga