Një emisare gjermane për Kosovën - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar një emisar për Ballkanin. Kanë emëruar edhe ambasadorë në rajon, të cilët kanë përvojë të gjatë. Edhe Britania e Madhe ka emëruar një emisar për Ballkanin. Duhet një gjysmë dite për të lexuar biografinë e tij. Tash është momenti që pas zgjedhjes së qeverisë së re gjermane, Berlini të emërojë një emisare për Ballkan.
Do të ishte mirë që e dërguar gjermane për Ballkanin, e veçanërisht për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të jetë politikania e gjelbër Marieluise Beck. Si anëtare e Parlamentit gjerman Beck ka thënë një fjali vendimtare: statusi i Kosovës është i panegociueshëm!
Beck është njohëse e madhe e Europës Lindore. Më 1994 ajo ishte njëra ndër politikanet e para të të Gjelbërve që u angazhua për ndërhyrje ushtarake të Perëndimit kundër kasapëve serbë në Bosnjë. Më 1999 Beck përkrahu çlirimin e Kosovës përmes ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave kriminale serbe. Argumenti i saj ishte ky: gjendeshim para zgjedhjes - duam një Srebrenicë të dytë apo një intervenim të menjëhershëm! Për fatin e mirë të Kosovës, triumfoi opsioni i intervenimit.

Duhet të ndryshojë diskursi gjerman për Ballkanin. Nuk është vetëm ekonomia (serbe) me rëndësi, por edhe stabiliteti politik në rajon. Pastaj: emisari Mirosllav Lajçak nuk është neutral në raport me Kosovën. Jo vetëm për shkak se vjen nga një shtet që nuk e pranon Kosovën. Aspak neutral nuk është as spanjolli Josep Borrell.
Rrjedhimisht, Kosova - ose thënë me mirë: qeveria - duhet të jetë më aktive, më kreative për të lobuar për një emisare gjermane. Kjo mund të bëhet sikur Kosova të kishte diplomaci serioze. Tash për tash nuk e ka. Dhe i vetmi që duhet të gjejë përgjigje ndaj këtyre sfidave është ai që i ka fituar gati gjysmë milioni vota më 14 Shkurt. Votat i ke, tash merr vendime dhe puno!
©Enver Robelli












