Kolumnist

Mirupafshim e politizuar - Nga Roland Gjoza

E tmerrshme! E tmerrshme! Kështu më erdhi ta filloj. Më erdhi nga brenda qënies si një klithmë. Më tepër me instinktin e një kafshe. Mungonte arsyeja. Për mungesën e saj dua të flas. Sa herë vij në Tirane zhgënjehem. Sa herë kthehem nuk di ç’përgjigje t’i jap vetes. Kam tridhjetë vjet me këtë peng.

Marr të shfletoj gazetat, të gjitha faqet pothuajse i kushtohen politikës. Hap televizorin, politikë. Dal në rrugë, ngjeshur e ngjeshur me kalimtarët, ndërsa më rrethon betoni vertikal, altoparlantët e stadiumit japin fjalime politikanësh. Buçasin sheshet, madje dhe spitalet, madje dhe varret prej politikanëve.

E kush janë këta politikanë?

Ata që kanë qënë dje dhe një ushtri rioshësh anonimë, që gënjejnë me fytyrat më të pafajshme, si ato të fëmijëve që presin Santën. Ngjis shkallët e ciflosura të pallatit, shoh taracat mbushur plima plima me depozita uji, se ka tridhjetë vjet që uji vjen me orar dhe është i papijshëm. Shoh muret e skërfitur, suvanë e rënë, që ka lënë pas tullat, që po treten prej depozitave që rrjedhin. Shoh… shoh pafund pamje që ta vrasin syrin.

Apartamenti im sheh nga Lindja dhe Perendimi dhe unë nuk shoh më asgjë, përveç betonit, që gati sa nuk më prek hundën. Ai sikur më fton të përplas ballin mbi të, aq zhgenjyes duket, aq depresiv.

Shkoj në kafe, një djalosh provizor (prej ndërrimit të shpeshtë të kamerierëve) i veshur keq, sikur ka dalë të hedhë plehrat në kazanët e mëdhenj të plehrave. Nuk më përshëndet, po më ngulet si hu përpara. I them ç’dua, ai kthehet automatikisht dhe shpejtësia e ikjes nuk është kurrë në harmoni me shpejtësinë e ardhjes.

Gazeta kudo. Fytyra nuk shoh. Të gjithë kanë hyrë në Parlament, në parti, në tubime dhe ende besojnë se politika do t’i shpëtojë nga hallet. I lë të gjithë, ashtu të zhdukur në fletët e gazetave dhe shkoj të kryej një porosi në Ministrinë e Brendshme. Një miku im ka punuar aty tre vjet dhe, pasi nuk nxorri gjë nëpërmjet kërkimit në Internet, m’u lut t’ia kryeja unë një porosi.

Më besoni! Tre muaj qëndrova në Tiranë, por nuk arrita dot që t’ia merrja atë fletushkë të vogel. Pritja, përpara një banaku në hyrje, në këmbë, në korridor, në praninë e dy policëve (nuk e di pse duhet të ndërhynin kur unë i kërkoja shpjegime punonjëses) ishte skandaloze, gati kërcënuese dhe justifikimet përse nuk firmosej ajo shkresë, ishin nga më absurdët. Edhe sot që e kujtoj bëhem si i tërbuar. Nuk e kontrolloj dot veten. 

Kafka ngjiste shkallët bashkë me mua, sa herë hyja e dilja si një njeri pa vlerë.  Edhe kur kërkova një çertifikatë në Gjendjen Civile të lagjes, më drejtuan në Bashkinë qëndrore, ata të Bashkise qëndrore në Berat. Pastaj, kur u ktheva nga Berati, si në rastin e parë, që përmenda më lart, iu kerkova ndihmë miqve të mi dhe brenda ditës problemet u zgjidhën si në përralle. Përse ndodhi kjo? Ishin mësuar të merrnin para dhe une isha treguar shumë budalla që s’e kisha kuptuar këtë gjë elementare. Paraja. Pa-ra-ja!

Buçitje, topa, fishekzjarre, fjalime, duartrokitje, thirrje katastrofike, sikur po digjej Tirana. Sali Berisha mbante fjalim në stadiumin Air Albania, ndërsa në stadiumin Uembli, në Londër, Ronaldo kishte shënuar një gol të jashtëzakonshëm. Sport, politikë, kafe, gazeta, qiellgervishtës si në Manhattan.

I thashë një fqinji: Si iu del me ujin? Sepse kisha parë çdo mëngjes në anë të derës së apartamentit të tij një qeskë të madhe me bidonë plastikë uji. Lëre, mos më pyet, tha ai. Po jemi mësuar. S’na del, po na del. Ujin e kemi patur problem, po e kemi harruar. Ilaçet e skaduar i kemi patur problem, po i kemi harruar. Ushqimet e dyshimtë, çmimet që kanë shkuar në stratosferë, po, i kemi harruar të gjithë. Me një fjalë, jemi mësuar. Më shumë hamë dhe pimë televizor, se sa bukë, se sa ujë, se sa drita. Dalim në kafene dhe atje qetësohemi. Atje na gjen, s’ke nevojë për të lënë takim me dikë. E ke parë Tiranën-kafene? Vetëm ky pallati ynë ka pesëmbëdhjetë kafene.

Kisha dy televizorë në shtëpi. Të dy i fala. Prej politikës. Kisha një stufë të re që punonte me bombolë gazi. Edhe atë e fala. Se çdo dimër digjeshin shtëpi prej bombolave të gazit që rridhnin. Edhe kjo prej politikës. Kisha një depozitë uji, edhe atë e fala. Edhe kjo prej politikës. Kisha korent, i shkeputa lidhjet me Elektrikun, sepse më vidhnin. Edhe kjo ndodhi prej politikës. Isha gati të jepja edhe apartamentin, sepse nuk i duhet kujt një apartament në të tilla rrethana. Edhe kjo prej politikës. Të gjitha prej politikës.

Dhe përsëri njerëzit në kafene zhdukeshin në faqet e gazetave. Edhe miqtë e mi. Edhe nëna ime, po të ishte gjallë, se ishte e dhënë shumë pas politikës.

Atdhe i politizuar. Njerëz të politizuar. Stadiume të politizuar. Uji i politizuar, elektriku i politizuar, betoni i politizuar, spitalet të politizuar, varret të politizuar.

Zyrat të politizuara, ngjitur në qiellin e politizuar, dyert e tyre nuk hapen kurrë, veçse prej dy çelësave: parasë dhe mikut.

Atdhe i zhgënjyer. Edhe kjo prej politikës. Edhe ikja ime prej politikës. Prej politikës edhe ëndrrat.  Edhe Europa, edhe Amerika.

Mirupafshim, atdhe! Por edhe mirupafshim e politizuar!

©Roland Gjoza