Kolumnist

Shpëtoni ushtarin e “mirë” Basha - Nga Ilir Gjini

Ushtari i “mirë” Basha të cilit Kuvendi i hoqi gradat e pamerituara të gjeneralit, vazhdon të jetojë në botën e iluzioneve dhe të çudirave. Në botën e tij iluzive ai i vetëm mund të shkatërrojë “Trekëndëshin e Bermudës”, t’u presë kokën gjigandëve, derisa gjaku të skuqë ujët e Lanës, të triumfojë edhe me mullinjtë e erës?!

Ndërsa në jetën reale si një llogaritar i vogël i magazinës që i ka mbetur nga PD-ja e madhe, pret vetëm kokat e kryetarëve që i kanë dalë nga rreshti partiak për të kaluar te kryetari de facto Berisha. Ai pranoi të vazhdonte rolin e lënë në mes nga gaztori opozitar Gjuzi, vetëm për të mos lëshuar karrigen e kryetarit të opozitës dhe privilegjet që gëzon prej saj. 

Përbetimet e tij për luftë kundër regjimit duke u munduar të trashë zërin ende fëminor, më shumë shkaktojnë të qeshura sesa merren seriozisht nga kundërshtari, por edhe nga vetë militantët e djathtë. Ai që përbetohej se Gramoz Ruçi do bëhej kryetar Kuvendi vetëm po të kalonte mbi trupin e tij, që nuk do hynte kurrë në zgjedhje me Ramën kryeministër, që nuk do lejonte zgjedhjet lokale njëpartiake, në fund dështoi me “sukses” në të gjitha.

Shpresa e vetme e Bashës mbetet aleatja jonë e madhe. Po a mjafton? Me aktin e bërë në Gjykatën Korreksionale të Parisit dhe akuzat që hedh ndaj Ambasadores Kim si zëdhënëse e PS-së, Berisha duket se ka bërë për vete një masë të gjerë të elektoratit të djathtë që shohin me sytë e tyre se aleatja jonë e madhe jo vetëm nuk po bën arbitrin e paanshëm, por përkundrazi, po i jep një shtysë të fortë regjimit për të uzurpuar çdo pushtet të mundshëm.

Shumë demokratë të ndershëm e shohin me shqetësim këtë konflikt të brendshëm dhe po kërkojnë me dëshpërim që mes dy grupeve të vendoset paqja. Por kur kundërshtarët kanë nxjerrë nga brezi thikat, paqja nuk duket e mundur. Berisha e ka të qartë rrugën e tij. Opozitarizmit të Bashës në parlament, Berisha do t’i përgjigjet duke thirrur protesta. Si një njohës i regjur i politikës, ai do të mundohet të bashkojë forcat me të gjithë faktorët opozitarë, përfshirë dhe Metën, madje duke gjetur gjuhën edhe me ata që i ka anatemuar, gjë që Basha nuk e ka bërë kurrë.

Edhe nëse ushtari i “mirë” Basha do vazhdojë të mbajë gradat fallco të gjeneralit, me mbështetjen që gëzon në elektorat Berisha do ta mundë fortë Bashën në zgjedhjet e afërta lokale, duke i hequr edhe ata përkrahës që i kanë mbetur. Sa më shumë të vazhdojë aksioni opozitar i Berishës dhe mbrojtja “policore” e “ambasadoriale” e Bashës, fundi pa lavdi i këtij të fundit është i pashmagshëm.

Në të gjitha humbjet Basha është justifikuar (jo pa të drejtë) se zgjedhjet u vodhën, por gjithmonë për të përballuar dallgët e zemërimit ka pasur një kamardare shpëtimi nga Berisha. Tashmë që nuk e ka më, a do të mundet të notojë i vetëm në detin e trazuar të politikës? A do ta shpëtojë kamardaria e hedhur me urgjencë nga ambasada dhe mbështetja nga mediat qeveritare që deri dje e sulmonin pa fakte edhe për kasetën e Bellanicës?

Deri dje Lulzimi “lulëzonte” në garën pa garë për karrigen e kryetarit të PD-së, për t’u fishkur në garën reale të liderit, kurse sot po vyshket edhe në garën e vërtetë për liderin e opozitës.

©Ilir Gjini