Kolumnist

Brenda oborrit tradhëtaret shiten si heronj - Nga Enver Bytyçi

“Sali Berisha nuk është përgjegjës për 21 Janarin, ai ka qenë në zyrë dhe urdhëri është dhënë nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha”. Kjo është deklarata e mbrëmshme e ish-ministrit të Mbrojtjes në kohen e ngjarjeve të 21 Janarit 2011, Arben Imami. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve dhe i veprimeve të kryeministrit dhe qeverisë.

Nga dita kur Lulzim Basha lëshoi akuzën për përfshirjen e shefit të tij, Berisha, në ato ngjarje, kam menduar se këtu ka diçka që lidhet me Lulin, asokohe ministër i Brendshëm. Kamerat e kanë fiksuar të vetëm në taracën e Kryeministrisë me një radio në dorë. Nëse Berisha ka qenë në zyrë me ministra dhe bashkëpunëtorët e tij, atëherë përjashtohet mundësia që ai të këtë dhënë urdhër për të qëlluar mbi demonstruesit.

Por a ka mundësi që Basha të ishte korruptuar në grupin e zjarrit politik të asaj date? Shpërthimi i tij ndaj Sali Berishës këto kohe, nuk lidhet thjesht me reagimet politike. Shpërthimi i tij deri te akuzat për vitin 1997, për vrasjet e 21 Janarit, për "korrupsion" shkon përtej emocioneve të momentit.

Ka edhe një element tjetër që duhet marrë në analizë: Përpjekja e Bashës për të përvetësuar meritat e kryeministrit Berisha për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE, për pranimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave etj. Ky Luloja duket se paska jetuar prej më shumë se një dekade me kompleksin e humbjes së "meritave"!

Ndërkaq, Ben Imami bën edhe një lidhje tjeter: Për meritë të 21 Janarit, katër muaj më vonë Luli u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa me pas Edi Rama kryeministër. Për shkak të bashkëpunimit më 21 Janar, Lul Basha tërhoqi në koalicionin me PD-në Bamir Topin dhe po e përdor sot si top obuz kundër Berishës.

Shpresoj të mos jetë i vërtetë bashkëpunimi i Lulzim Bashës me Edi Ramën, Bamir Topin dhe Ina Ramën me 21 Janar 2011. Por shumë gjurmë të çojnë te ai. Vrasjet u kryen kur protesta ishte qetësuar. Kush qe i interesuar të ndodhnin ato në atë moment kur nuk rrezikohej godina e kryeministrisë?

Kush ka ndjekur filmin për Abdyl Hamitin e di se brenda oborrit tradhëtaret shiten si heronj.

©Enver Bytyçi