Kolumnist

Pro apo Anti-Amerikan? - nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Kisha disa muaj e larguar nga FB, dhe si rrjedhojë e distancuar prej informacionit që rrjedh në gjendje të lirë, ose jo dhe aq të lirë. Meqënëse fillova zyrtarisht pushimet i lejova vetes hyrjen në logun ku mblidhet shoqëria ime "e gjerë" (virtuale).

Dhe duke lexuar andej këndej m’u tërhoq vëmendja nga përsëritja e termit anti-amerikan. Mjeshtrit e reklamave kur duan të prezantojnë një produkt të ri në publik vrasin mendjen fillimisht për emrin. Kërkojnë që emri të godasë, të mbetet në mendje, të ngjisë si një refren kënge që dëgjon një mëngjes e nuk të largohet gjithë ditën “Tu vuo' fa' l'americano/ 'Mericano, mericano/ Ma si' nato in Albania…”. Kështu edhe këta marifetçinjtë e marrëdhënieve me publikun kishin bombarduar me asosacionin “Berisha-anti-amerikan” duke synuar prodhimin e qëndrimeve, sjelljeve dhe emocioneve që u leverdisin interesave të pronarëve të tyre.  

A mos është baraz me dënimin me vdekje të jesh anti-amerikan?

Liberalët kanadezë në zgjedhjet e 2006 e sulmuan konservatorin Stephen Harper se ishte “shumë pro-amerikan”, nga ana e tij Harper iu përgjigj se sulmet e liberalëve ishin të stilit amerikan. (shih thecanadaguide.ca). Pra për politikanët kanadezë pro-amerikanizmi qenka një pikë e dobët për të cilën kundërshtari politik duhet sulmuar. Amerikanizmi konsiderohet si identifikim ose përqafim i kulturës, mendësisë amerikane, mënyrës së të bërit politikë, qasjeve ndaj çështjeve të konflikteve ose paqes në botë. Por ai merr vlera pozitive ose negative në varësi të mjedisit ku zhvillohet.

Në rrafshin e krenarisë kombëtare, Kanadaja dhe SHBA edhe pse janë dy vende fqinje me plot të përbashkëta, kanë diferencat e tyre për të cilat punojnë që t’i mbrojnë dhe t’i forcojnë për shkak të identitetit kombëtar. Pra anti-amerikanizmi, nëse ka një të tillë, është një mekanizëm mbrojtës i kulturës dhe identitetit kombëtar.

Në rrafshin ekonomiko-politik sigurisht që do ketë oshilacione prirjesh nga palët. Interesat të bëjnë edhe pro-rus, pro-kinez apo pro-korean, ashtu siç edhe të kthejnë kundra tyre.

Në rrafshin social, Kanadezët njihen si snowbirds, që shtegtojnë në zonat e ngrohta amerikane gjatë dimrit, përfitojnë prej motit, lehtësirave ekonomike, çmimeve më të ulëta, kushteve të biznesit, afërsisë gjeografike, ngjashmërive kulturale e gjuhësore. Që do të thotë se në popull, pro-amerikanizmi përkthehet në pragmatizëm.

Por në Shqipëri, e cila ndodhet 9168 km larg me USA dhe po aq distante në kultura, zakone e tradita, amerikanizmi trajtohet si vlera më e lartë dhe anti-amerikanizmi shitet si mëkati më i madh i njerëzimit (vëzhgim imi tek disa nga komentet mbi ngjarjet e fundit mes Partisë Demokratike). Ndoshta janë të ndikuar nga teknologjia, Apple, Facebook, Hollywood apo universitetet. Hileqarët mediatikë përpiqen të vënë shenjën e barazimit mes politikës amerikane dhe Amerikës. Sot kur demokracia në SHBA po jeton ditë jo të lavdishme, ata i veshin politikës amerikane atributet e Të vërtetës, Hyjnores, Absolutes, të Drejtës. A ka politikë në botë me këto cilësi? Po amerikanët vetë a e adhurojnë politikën amerikane?

Sipas sondazhit të fundit të Pew Research Center, (2021) pak besojnë se demokracia amerikane, të paktën në gjendjen e saj aktuale, shërben si një model i mirë për kombet e tjera. 72% e amerikanëve thonë se demokracia amerikane ka qenë një shembull i mirë për t’u ndjekur, por nuk është më një model.  

Ndërkohë prirja anti-politikës amerikane në Evropë sipas statistikave ka njohur rritje. Sondazhet thonë se vende si Greqia, Spanja, Suedia dhe Finlanda e konsiderojnë SHBA si kërcënimin më të madh të paqes në botë, më tepër se kërcënimi që vjen prej Iranit apo Koresë së Veriut. (burimi: Pew Research Center)

Pra në kohën kur vetë amerikanët nuk e vlerësojnë politikën dhe demokracinë e tyre, Europianët gjithashtu kanë rezervat e tyre, a janë gjë në shumicë shqiptarët që besojnë të kundërtën?

Nuk besoj se ata demokratë që iu rreshtuan Sali Berishës, i vajtën nga pas që ta mbështesin moralisht meqënëse është shpallur non-grata. Jo, unë mendoj se ata shqiptarë ashtu si 72% e amerikanëve nuk besojnë më tek demokracia amerikane, sidomos kur shohin diplomatët e rrugës së Elbasanit të ulen, drekojnë e argalisen me koka krimesh e korrupsioni.

Këta demokratë nuk impresionohen kur shohin Lulin me tufën e ambasadorëve në takime. U ka dalë boja dhe këtyre të fundmëve. Shqiptarët demokratë e dinë se të rreshtohesh krahas një ambasadoreje apo një politikani amerikan që përfaqëson një pjesë të caktuar të politikës amerikane nuk do të thotë se je simbol demokracie, por mbase je si një send që të mungon vula “made in” e që ca zyrtarë të huaj të hedhin e presin andej-këndej në shtëpinë tënde.

Të mos marrësh një vizë për në USA apo të ta heqin atë, nuk do të thotë se je Anti-amerikan. Thjesht ti nuk u je nënshtruar kërkesave apo interesave të momentit që politika amerikane të ka paraqitur në kuadër të kritereve të pranimit në konkurset e pushtetit.

E për më tepër të shpallesh i korruptuar nga amerikanë që shtrohen në gosti peshqish të mëdhenj me kokat e korrupsionit është si të shpallesh simbol i ndershmërisë, qendresës dhe patriotizmit.

Dashur pa dashur, ambasadorët në Shqipëri, të influencuar, korruptuar apo keqinformuar u kanë bërë nder dhe shërbim imazhit publik të të gjithë atyre që i kanë shpallur non-grata, përfshirë këtu edhe Sali Berishën.

©JetaDedja/Flasshqip.ca

 

Mirënjohje disa prej mbështetësve të FlasShqip!