Kolumnist

Politika amerikane nuk është statike - Nga Enver Robelli

A di dikush të tregojë se çka i ka sjellë Kosovës “Moratoriumi njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”? Asgjë. A u bë Serbia më e përzemërt ndaj Kosovës? Jo, madje fshehurazi e hapur Serbia loboi që shtetet e tjera të mos pranojnë Kosovën. Ose u përpoq të bindë Egjiptin të tërheqë njohjen e Kosovës. Ia ledhatoi egon Presidentit të Egjiptit duke ia dhënë titullin “doktor nderi” të Universitetit të Beogradit. Organizoi një samit të shteteve të painkuadruara për t’i bindur të mos pranojnë Kosovën. Serbia ishte po ashtu e obliguar të mos lobojë për mosnjohje të Kosovës te vendet e tjera. E bëri të kundërtën.

Ata që mendojnë se është sakrilegj të kritikohen vendime të caktuara të SHBA-ve, e sidomos të administratës së Donald Trumpit dhe ndonjë përrallaxhiu të tij që kishte për synim të forconte të Djathtën ekstreme në Europë dhe përkrahte politikanë të dyshuar për korrupsion në Vjenë, e diskualifikojnë veten për të menduar me kokën e tyre. Sepse politika nuk është statike.

Joe Bideni si Nënpresident më 1999 i ka përkrahur sulmet ajrore kundër Serbisë. Më 2016 Biden vizitoi Beogradin, i bleu një palë opinga në pazarin e qytetit dhe shprehu keqardhje për viktimat e sulmeve të NATO-s.

E tash? A e bën kjo Presidentin amerikan të papërzemërt ndaj Kosovës? Përkundrazi. Ai mbetet insistues që Serbia të pranojë Kosovën. Në marrëveshjen e 3 Shtatorit 2020, të shkruar shkel e shko për interesa afatshkurtra elektorale të Trumpit, e ku Kosova obligohet të luftojë Hezbollahun dhe për të drejtat e homoseksualëve në krejt dynjanë, thua se Kosova është superfuqi, shumë pika janë vetëm sanksionim i statuskuosë, ose përvetësim i projekteve të të tjerëve, siç është pikëkalimi i përbashkët në Merdare, i financuar krejtësisht nga BE.

Partia që e drejtonte qeverinë në Shtator 2020 thoshte se është kategorikisht kundër “Mini-Schengenit ballkanik”. E njëjta parti e nënshkroi në Washington “Mini-Schengenin ballkanik”. Pra, e bëri të kundërtën e asaj që thoshte publikisht. Tendenca e disa properëndimorëve të vetëshpallur që çdo veprim të SHBA-ve ta lartësojnë në qiell, është vetëm konfirmim i mungesës së çdo konsistence në politikë dhe mungesë e strategjisë elementare.

Në fund të viteve 90-të ka pasur diplomatë amerikanë që kanë ardhur në Prishtinë me plane për një autonomi kulturore e arsimore të Kosovës brenda Serbisë. Ibrahim Rugova e Fehmi Agani e kanë hedhur poshtë këtë ofertë. Rugova dhe Agani antiamerikanë? Do të ishte titull i mirë për ndonjë seri humoristike. Ku rolet kryesore do t’i luanin ata që sot përdridhen si gjoja proamerikanë.

©Enver Robelli