Kolumnist

Lulzim Basha, fituesi i llotarisë “PD-Bingo” - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Pas kuvendit të djeshëm në një sallë të tejmbushur me militanë, ku kryetari nga euforia e duartrokitësve performoi deri në ngjirje, duke jetuar në një realitet virtual të cilit vështirë se i beson edhe vetë, Lulzim Basha “korri” fitoren e radhës ndaj “Trekëndëshit të Bermudës”.

I mësuar me fitore pa garë brenda partisë, kanakarit Basha iu bë si dhuratë nga Berisha një biletë fituese “PD- Bingo”, të cilës pasi i shijoi mirë benefitet, ai kurrë nuk do ta lëshojë më nga dora. Në një kongres që me shumë ngjante me kongreset ramiziste deri te parullat: “Si është rinia (PD-ja) sot do jetë atdheu nesër”, nuk u tha asnjë fjalë për tezat e hedhura për demokratizimin e partisë.

Si ka mundësi që një parti humbëse seriale, të mos ketë zëra që të kërkojnë dorëheqjen e kryetarit humbës? Apo të paktën futjen në statut të këtij neni? Matematika e numrit të delegatëve, ku “kongresmenët” korespondojnë jo me numrin e karrigeve (2000), po me këmbët e karrigeve (duke e çuar në 5000), nuk do ta shpëtojë Bashën kur të përballet në zgjedhje me Ramën.

Duke mos fituar as garën brenda partisë, Basha e ka të pamundur të fitojë një garë të vërtetë reale në zgjedhje. Ai shpreson se “PD-Bingo” që dje ia dha Berisha përballë të ndjerit Olldashi, sot si biletë fituese “Kryeministër-Bingo” do t’ia falë Yuri Kim.

Po a mbushen kutitë e votimit me buzëqeshje ambasadorësh që të fërkojnë krahët kur uzurpon karrigen përballë Berishës dhe të lënë në baltë kur zgjedhjet i uzurpon Rama? Tekat e “kanakarit” të llotarive të falura Basha, më kujtuan një histori reale të ndodhur pak kohë më parë në Western Cape të Afrikës së Jugut.

Një lojtar i rregullt i llotarive kombëtare në vendin afrikan prej shumë vitesh, besoi se më në fund fitoi llotarinë. Behej fjalë për një shumë të madhe parash. Vëllai i tij duke ia ditur dobësinë i bën një rreng. Ai i dërgon një foto të montuar me numrat fitues, duke e bërë të besonte se kishte fituar miliona.

Në euforinë e fitores ai shkon në zyrën e punës ku prej 20 vitesh punonte si agjent reklamash. I dehur nga “llotaria milionëshe”, për mosvlerësimin si duhej nga bosi i tij, ai dhjet mbi tavolinën e punës dhe pshurr muret e zyrës. Madje i lë edhe një pusullë bosit ku shkruan: “fuck you”! Por fatkeqësisht të nesërmen, në vend të milionave i vjen një fature gjobe dhe një pushim nga puna.

Prandaj militantët e zotit Basha të dalin nga euforia e biletës “PD-Bingo” që Lulzim Bashës po ia ofrojnë me bujari amerikanët. Sepse partia nuk është luftë bravash e vulash. Madje një mikut tim bravashitës te “Tregu Çam”, jo vetëm iu rritën fitimet, por pati nderin të ishte si asnjeherë tjetër në jetë edhe “kongresmen” në 18 Dhjetor.

Kjo vjen edhe për përkrahësit e palës tjetër. Berisha si politikan profesionist duhet të heqë dorë nga gjyqet e vulat, pasi kjo vetëm e dobëson opozitën dhe PD-në në veçanti. Kanakarit të dikurshëm Basha, Berisha duhet t’ia lerë zyrat e grabitura me tapi fallco dhe të krijojë një parti tjetër. P.sh. Partia Demokratike-Dhjetor 90.

Opozitarizmi i vërtetë ndaj regjimit Rama do ta ndajë shapin nga sheqeri. Demokratët do t’i bashkohen atij që bën opozitën e vertetë. Jo llogjeve boshe në tangon parlamentare të tipit Gjuzi. Në të kundërtën demokratët do vazhdojnë të ruajnë “tufën e Qaqes” në opozitë, se edhe çelësat e kashtës ia ka marrë Edi Rama.

©Ilir Gjini