Pak energji për Kosovën - Nga Ilir Levonja
A mundet Shqipëria e Edi Ramës, kjo që ka gjoja rritje ekonomike, rezerva energjitike, të shtrijë një linjë teli për të minimizuar sado pak krizën energjitike të Kosovës? Absolutisht që nuk ka. Arsyeja është e thjeshtë. Ka dështuar më keq se Kosova. Po të kishte, linja do ishte shtrirë me daulle e prerje shiritash.
Aktualisht Kosova është zhytur në një terr energjitik për faktin e amortizimit të sistemit të prodhimit. Aty energjia prodhohet me qymyr, me termocentrale. Kostoja del shumë e lartë dhe për më tepër e pa mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Eshtë ajo koha e Shqipërisë tranzitore, kur trotuaret i pushtuan gjeneratorët. Megjithatë edhe sot kësaj dite Shqipëria vuan për energji elektrike. Ka problemet e shumta, sa akoma askush nuk është i sigurtë në faktin se nuk do i ndërpriten energjia. Nga ana tjetër ashtu si Kosova prodhimin bruto e ka nga burimet ujore, vepra të diktaturës së proletariatit me kosto bazë punën vullnetare.
Kjo ka domethënien se investimet e mëdha në Shqipëri janë tokë e xanun, ose mollë e ndaluar. Kjo për faktin e makutërisë së korrupsionit, siç ishte edhe rasti i fundit me inceneratorët. Katër milion euro fitim vetëm për një firmë e vulë. Një shifër që e këput mëdysh qytetarin e shqiptar. Në raport me investimet politike, investimet strategjike janë zero të krahasueshme. Kanë investuar në magazina shitjesh, importesh, sallone, bare e restorante, përfshi këtu pallatet e dasmave, por asnjë qindarkë në ashtin kombëtar drejt një imuniteti a pavarësie ekonomike.
Megjithëse Prishtina ka hyre totalisht në një krizë energjie, Tirana nuk ndihet fare. Sot qytetarët e Prishtinës dalin në sheshe. E drejtë civile. Kurse Tirana nuk ofron asgjë. Madje pas perdeve fërkojnë duart, ndofta duan edhe rrëzimin e qeverisë Kurti. Nga ana tjetër, vetë janë mësuar tashmë me të lypur.
Në tërmetin e 26 Nëntorit 2019, Kosova zbarkoi me tërë arsenalin ushtarak për të shpëtuar jetë shqiptarësh nën rrënojat e qyteteve tona. Sot Shqipëria nuk ndihet të japë sikur ca kova me energji. Kushedi sa marrëveshje janë nënshkruar këto 30 vjet demokraci. E fundit në një nga restortet e peshkut në Elbasan. Po asgjë nuk është parë, vetëm fasada.
Një nga fatkeqësitë më të mëdha shqiptare është fakti, se po zhvillojnë demokracinë me kultin e individit, jo me ekonominë e tregut apo gjuhën e shifrave. Kjo është arsyeja që sot nuk ka jo vetëm një linjë energjie të ndërsjellë, as një linjë të hekurt Tiranë-Prishtinë, por ka me shumicë dogana e trarë taksash. Elementë të shpërbërjes, jo të unifikimit kombëtar.
©Ilir Levonja












