Kolumnist

Shqiptarët, një popull i ri i kapur në ngërç nga e shkuara - Nga Flurans Ilia

Tashmë që gjërat po përmbyllen nën siglën e 2021-shit dhe kaposhi po gatitet të hyjë në furrë, le t'i themi dy fjalë. Një nga eventet e fundvitit përgjatë shekullit të fëmijërisë tonë ka qenë Festivali i Këngës në RTSH. Kisha 30 vjet që nuk e ndiqja këtë festival dhe përafërsisht po aq, Sanremo dhe Eurovizion (këtë të fundit qysh nga koha e Toto Cutugno me Insieme), kuptohen arsyet.

Këtë Dhjetor nga pesha e lehtë e ekzistencës në botën e trazuar të dy viteve të fundit, në të cilën humbëm njerëz të afërm, artistë dhe të dashur, u izoluam për së gjalli nga njëri tjetri, mendoj se njeriu i sotëm është përballë dilemash që kanë të bëjnë në radhë të parë me absurdin e situatës (edhe 2022 nuk ka për të qenë i lehtë), ekzistencën si proces zinxhir - empirizëm brezash (kujtoni festivalet e para 1990-ës), por edhe me atë vetjaken që quhet përvojë jete e gjithsecilit. Në këtë situatë arti është një analogji e pasyrës, ndaj nuk është e thënë që me doemos duhet me patjetër të jemi kritikë, mosbesues, nihilistë, sadistë, në raport me atë që shohim.

Edhe mua nuk më pëlqeu teksti (kryesisht teksti) dhe muzika (shumë zhurmë) edhe deklamimi (forca të errëta shpërthimi) i këngës fituese. Por ama kjo vajza (që duhet të ndryshojë urgjentisht veshjen në evropiane) në mos po do fitojë, do jetë pretendente në Torino vitin tjetër. Këtu do jemi e do më kujtoni. Dhe kjo, jo ngaqë Evropa është kaqole, por ngaqë është e lodhur dhe kërkon diçka që ta ngrejë nga karroca e pritshmërisë së këtyre dy viteve të fundit. Një kjo, e dyta, sepse në evente të tilla votojnë impulsivët, ata që gjenerojnë energji dhe jo mendim analitik. Lërjani këtë të fundit ca njerëzve si unë që e kanë të vështirë t'i lexojnë këto rreshta por që ky është realiteti pra, lexojmë me qorrka tashmë (u them syzeve).

E njëjta gjë edhe përsa i përket Shqipërisë së këtyre 30 viteve (që nuk e kam patur fatin t’ia ndjek festivalin e saj, por ndjek mediat sociale këto dhjetë vite), që ka një nga dinamikat më mahnitëse përsa i përket adrenalinës.

Ne jemi një popull i ri i kapur në ngërç nga e shkuara. Mundet të na quajnë popull i çmendur, por jemi vitalë. Të ndyrë me njëri tjetrin, por përherë të gjendur. Gjithë kohën mosbesues, por nostalgjikë për atë që krijojmë me veten dhe tjetrin. Mundet të na quajnë dembela mejhanesh, por nëpër mejhane përmbyllim projekte, kontrata, marrëveshje. Mundet të na quajnë të pa kulturë, por kjo është vetëm koriçka e bukës, që duket sikur e pengon avullin e së tërës përgjatë procesit të kullimit, por që ngelet njëfarë procesi i natyrshëm (proces me pore do e quaja) që buka mos t'iu bjerë shtëng në stomak.

Tek e fundit mirë është mos të hani shumë bukë por nejse kjo është tjetër mesele pa të cilën nuk bëjmë dot. Meqë pa e kuptuar përfunduam te buka, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj, shokë dhe shoqe, të afërm, familjarë, urimi im për vitin që vjen 2022 është:

Sa më shumë bereqet, në shpirt, në mendje, në trup, me të gjitha dëshirat dhe ëndrrat ashtu si ua ndjen zemra, pa patur frikë, ashtu si jeni, ashtu si duhet të jeni, vetvetja!

©Flurans Ilia