Baza e PD në opozitë me kryetarin - Nga Rob Kore
Kur një lider shkeputet nga baza e tij, kur bëhet arrogant dhe përjashtues dhe më kryesorja, kur është një humbës serial, atëherë rezultati është i pritshëm. Baza do të egersohet kundër tij. Sa më shumë ai qëndron me forcë në krye, aq më shumë rritet inati dhe zemërimi ndaj tij. Në kësi rastesh ajo që pritet të ndodhë më tej është protesta.
Nga eksperienca e shumë vendeve, qofshin ata nga më demokratikët, dihet që, pavarësisht teorive dhe thirrjeve që bëhen para tyre, protestat shpesh herë e tejkalojnë ligjin. Vetëm në vitin 2020, në vendin më demokratik në bote, SHBA, u bënë mbi 400 protesta, të cilat e tejkaluan shumëfish ligjin. Po kështu në Francë protestat e dhunshme ndaj çmimit të karburantit vazhduan me muaj të tërë.
Tashti le të vijmë tek ajo që po ndodh në PD.
Lulzim Basha e di shumë mirë që zemërimi dhe mllefi ndaj tij ka arritur në kufijtë e shpërthimit. Çfarë bëri ai sot dhe çfarë duhej të bënte?
Zemërimit të bazes së tij, ai iu përgjigj me mënyrën më të keqe të mundshme. Blindimi i portave dhe gazi lotsjelles e kthyen tashmë zemërimin e bazes së tij në urrejtje ndaj tij. Njerezit që provuan gazin e urrejnë atë sot me gjithë shpirt dhe më shumë se kurrë.
Urrejtja sot shtohet akoma më shumë, sepse ai i provoi bazës së tij se ai është në një llogore me Ramën, kundër bazës së tij. Te paktën kështu mendojnë shumica e votuesve të PD.
Çfarë duhej të bënte?
Në qoftë se e quan veten “hollandez” dhe të edukuar në një nga vendet më demokratike në botë, ai nuk duhej kurrsesi të blindonte dyert. Përkundrazi ai duhej t’i hapte ato.
Bile po ta dijë se si politikanët perëndimorë i trajtojnë njerëzit e zemëruar, duke patur parasysh edhe që ata janë votuesit e tij, ai duhej të kishte nxjerrë disa njerëz tek hyrja e hapur, të cilët të mbanin pankarta në duar, ku mund të shkruhej: Mirësevini në shtëpine tuaj! Jam gati të ulem dhe të bisedoj me këdo, për të mirën e PD.
Vetëm kjo qasje pozitive, do të mund t’i jepte atij njëfarë kredibiliteti. Vetëm një qasje bashkëpunimi do të mund ta shpetonte Bashën, sepse vetëm mesazhi i bashkëpunimit kur ka konflikt do ta qetësonte bazën.
Nuk e bëri këtë. Mbas sot, baza e tij e sheh atë, njëlloj siç sheh Ramën.
Rast unikal në botë, baza në opozitë me kryetarin.
©Rob Kore












