Kolumnist

Jo votimit pa rregulla të serbëve në Kosovë! - Nga Enver Bytyçi

Serbia do të organizojë më 16 Janar referendumin me prerogativën: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Serbisë?”.

Për këtë referendum, i cili i përkushtohet rregullimit të brendshëm të sistemit kushtetues të Serbisë, është shqetësuar edhe shefi për Politika të Jashtme dhe Siguri në Europë, Joseph Borrell. Ai ka folur në telefon me kryeministrin Kurti dhe i ka kërkuar që serbët e Kosovës të shprehen përmes votës për referendumin serb. Ka folur dhe ia ka premtuar ndihmën e tij gjithashtu presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.  Zoti Kurti ka pranuar që kjo të bëhet përmes postës ose votimit në përfaqësinë e Serbisë në Prishtinë. Duket se zotit Borrell nuk i ka pëlqyer përgjigja e kryeministrit të Kosovës. Ka mundësi që Borrel dhe Vuçiç të kërkojnë për këtë edhe ndihmën e Edi Ramës. Do të presim që Rama t'ia kërkojë qeverisë së Kosovës të njëjtën gjë si edhe Borrell.

Kryeministri, Presidentja dhe institucionet e Kosovës duhet të promovojnë gjithnjë shtetësinë e vendit të tyre. Kundërshtia e Prishtinës për një votim pa rregulla është mbrojtje e shtetësisë. Nëse i pëlqen kjo ose jo zotit Borrell, ky nuk është problemi i Kosovës dhe institucioneve të saj. Eshtë problemi personal i tij. Nuk besoj se është edhe politikë e unifikuar e BE-së kjo që kërkon Borrell! Aq më pak e rakorduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Por më bën përshtypje pse zoti Borrell është investuar kaq shumë në këtë çeshtje? Çfarë dëshiron ai të arrijë me kërkesën që qeveria e Kosovës të lejojë serbët e këtij vendi të votojnë në qendra votimi, sikur të ishin qytetarë të Serbisë e jo të Kosovës?! Pse ai kujdeset kaq shumë për sovranitetin serb në Kosovë, e aq pak ose aspak për tërheqjen nga ky sovranitet formal nga ana e Beogradit?!

Sikur Borrell dhe paraardhësja e tij, Moghëerini, të ishin angazhuar kaq shumë për Kosovën sa angazhohen për Serbinë dhe interesat e saj në Kosovë, konflikti midis dy vendeve do të ishte zgjiidhur me kohë. Mesa duket Rusia e Serbia harxhojnë shuma kolosale edhe në Bruksel me qëllim që të ruajnë interesat e veta në Ballkan e në Kosovë. Kjo është arsyeja pse autoritetet e Brukselit nuk shqetësohen për marrëdhëniet Serbi-Rusi!

©Enver Bytyçi