Kolumnist

Kundër ndëshkimit ligjërisht të fjalës së lirë dhe të vërtetës - Nga Hajro Çini

Është bërë lajm botëror arrestimi i një gazetareje në Turqi, të quajtur Sedef Kabash, sepse ajo ka shkelur një nen të Kodit Penal të Turqisë, duke aluduar dhe ironizuar Presidentin Erdogan: "Jo çdo buall që hyn në pallat është mbret, por kur bualli hyn atje, pallati kthehet në stallë". Fyerja e Presidentit në Turqi dënohet nga Kodi Penal me 1-4 vjet heqje lirie.

Besnik i dëshirës sime për lirinë e mendimit, unë nuk e mbështes atë nen të Kodit Penal të Turqisë, sepse unë besoj se opinionet nuk duhen frenuar ligjërisht. Ata duhet të lejohen të shprehen, brënda një niveli etik të pranueshëm, të kenë vërtetësi në thelbin e tyre dhe ti shërbejnë njerëzimit. Në vend të atij neni unë do të favorizoja një artific ligjor, që shtypi apo individët, të kenë konsekuenca apo të mbajnë përgjegjësi, kur përhapin gënjeshtra, kur bëjnë propagandë të dëmshme, ose kur përdoren si gjobëvënës, siç kemi parë në Shqipëri dhe Kosovë.

Shikojeni “shtypin e lirë” apo "opinionistët e lirë" në Shqipëri se sa të dëmshëm dhe të rrezikshëm janë. Shikojeni se sa keq veprojnë në shërbim të narko-qeverisë dhe në dëm të qytetarëve. Jam i bindur që shumë nga gazetarë e opinionistë në trojet tona paguhen për dezinformim edhe nga shërbimet inteligjente të vëndeve jo dashamirëse ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.

Unë do të mbështesja edhe Vettingun e gazetarëve, do të mbështesja edhe verifikimin e pasurive të tyre, si dhe burimet, sepse duke qënë një nga elementët bazë të përpunimit të opinioneve, edhe shtypi duhet të ketë përgjegjësitë e tij. Liria për të shpifur, për të përhapur gënjeshtra nuk i shërben shoqërisë.

Ndërkohë që Turqia ka një nen të tillë, SHBA ka qënë gjithnjë proklamuese e lirisë së shtypit. Por proklamimi i SHBA tingëllon paradoksal dhe hipokrit në qëndrimin ndaj Julian Assange.

Unë mbështes Julian Assange, i cili, me ndërgjegje dhe kurajo të lartë qytetare, vuri kokën e tij në rrezik, për t’i treguar Botës disa të vërteta të hidhura, deri kriminale, që SHBA i kishte kryer, dhe sot kërkon që ta ndëshkojë atë që i bëri publike. Ai nuk gënjeu, nuk shprehu opinionin e tij subjektiv, por thjesht nxorri vetëm fakte dhe të vërtetën.

Unë kam qënë mbështetës i Trump-it që para se ai të bëhej President. E kam parashikuar që më 29 Tetor 2016 fitoren e tij dhe e kam mbështetur edhe gjatë presidencës. Por unë u zhgënjeva shumë dhe e denoncova publikisht faktin që ai nuk i dha faljen Assange. Ai i ofroi atij faljen, por me kusht që Assange t’i shërbente Trump-it, dhe Assange, në nderin e tij, nuk e pranoi atë kompromis.

Do të ishte në nderin e tij, në të mirën dhe reputacionin e USA, që ai të ishte falur. Assange nuk duhej të ishte kërkuar që të ekstradohej në SHBA që në fillim. Në pak orë fati i tij do të marrë një rrugë. I lutem Zotit që ai të rifitojë lirinë dhe të mos ekstradohet!

©Hajro Çini