Kolumnist

Pyetësori i qeverisë si simptomë e çmendurisë kolektive - Nga Alfons Zeneli

Shqipëria figuron në listën e padenjë gri të Organizatës Botërore te Luftës kundër Pastrimit të Parave të Pista dhe Financimit të Terrorizmit me qendër ne Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Paris. Ja cilat janë vendet e tjera në këtë listë krahas Shqipërisë: Bahamas, Barbados, Botsvana, Kamboxhia, Gana, Xhamajka, Mongolia, Myanmar, Nikaragua, Pakistani, Panamaja, Siria, Uganda, Jemeni dhe Zimbabve.

Mjafton të shikojmë këtë listë ku është futur vendi ynë që prej dy vjetesh, mjafton të evidentojmë faktin se në këtë listë nuk ka asnjë vend të rajonit dhe Evropës për të kuptuar kotësinë dhe butaforizmin përtallës të të gjithë retorikave qeveritare nëpër salla, konferenca e sheshe fshtarash.

Gjithashtu Shqipëria është dhe kampione në qarkullimin e parave informale. Zoti dhe njerëzit e dinë mirë se shumat astronomike informale nuk i zotërojnë as punëtorët e gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, as hidraulikët e Kryeministrisë, as fermerët e Zall-Bastarit dhe as edukatoret e kopshteve të Roskovecit. PPP-të e Edi Ramës deri në vitin 2018 gllabëronin 5 miliardë dollarë, ndërsa sot 7,5 miliardë dollarë. Këto janë para të cilat qytetarët taksapagues ia kanë besuar shtetit për t`i menaxhuar në të mirën publike ndërkohë që qeveria ua ka besuar klientëve privatë të saj.

Këto bashkë me rritjen e frikshme të borxheve që merr pa kriter qeveria e kanë ekspozuar qytetarin shqiptar përpara një katastrofe e cila nuk do vonojë të ndodhë. FMN, Banka Boterore si dhe zyrat financiare te BE kanë lëshuar prej vitesh një rrebesh alarmesh, paralajmërimesh, vërejtjesh dhe ultimatumesh ndaj qeverisë shqiptare, por kjo e fundit, siç dihet, nuk ka reaguar e reflektuar. Përkundrazi, i ka shtuar edhe më shumë dozat e parave publike të akorduara kompanive ortake.

Po këto kohet e fundit, sipas statikave zyrtare të BE, Shqiperia është në vendet e para të azilkerkimit në vendet e BE bashkë me Afganistanin dhe Sirinë, vende të cilat janë në luftë. A ka domethënie fakti që qytetarët shqiptarë ndjehen në vendin e tyre po aq të pasigurt e të kërcënuar sa dhe ata të vendeve të cilat janë në luftë të mirëfilltë?

Çdo njeri është i lirë t`i përgjigjet vetë kësaj pyetjeje. Madje po ta shikosh me vëmendje, është pikërisht kjo e vetmja pyetje që duhet të qarkullojë në ndërgjegjen e njerëzve. Kjo do të ishte dhe pyetja e duhur që qytetarët shqiptarë të majtë e të djathtë do të duhej t`ia drejtonin qeverisë dhe kryeministrit. Por gjendja kaotike, varfëria dhe mjerimi i krijuar me qëllim atrofizimin e ndërgjegjes, kanë bërë që në vend të ndodhe kjo, ndodh kundërta.

Është qeveria ajo që torolleps qytetaret e vet të damkosur si dele në pyetësorin më qesharak e ofendues që mund të ketë egzistuar ndonjëherë. Dalja e qeveritarëve nëpër frontet e punës, nëpër kantiere, nëpër fshatra, sera, kanale kulluese, baxho e stane malesh, është farsa më e trashë dhe diabolike që mund t`i ofrohet një komuniteti humanoidësh. Në këtë kontekst që figuron vetëm në vendet diktatoriale, qeveria ndërmori skeçin socialist të radhës nëpërmjet fushatës popullore të korrje shirjes së mendimeve.

Shndërrimi i qeverisë në sallë vatrash kulture ku vlojnë denoncimet, fletërrufetë dhe vilet mendimi i masave të gjëra punonjëse shënon fundin e funksionimit normal, ligjor e demokratik të një qeverie. Qeveria në çdo vend demokratik e normal të planetit funksionon në bazë të rregullave dhe ligjeve dhe nëpërmjet rrjetit të administratës publike. Në asnjë vend normal, pra as në Afrikë nuk dalin ministrat të bëjnë muhabet e të këmbejnë romuze me qytetarët.

Qeveria merr masa ligjore, bën ligje që favorizojnë ekonominë dhe lirinë e qytetarëve dhe nuk del përditë të inspektojë kanalet e ujërave të zeza apo të shpërndajë supë nëpër kopshtet e fëmijëve, ndërkohë që gjithë ushqimi që konsumon një kopësht apo azil për një muaj, kushton sa një vakt i Arbjan Maznikut.

Farsa e pyetësorit qeveritar shënon pikën më të afërt me çmendurinë. Jo me çmendurinë e qeverisë, por me atë të shoqërisë shqiptare, e cila është e gatshme ta konsumojë këtë "supë" burgu të servirur për të zezën e saj.

©Alfons Zeneli