Presidenti dhe PS e PD si ndërmarrje politike me drejtor privat - Nga Ilir Levonja
Gjykata Kushtetuese nuk e ka shpallur akoma vendimin nëse duhet shkarkuar apo jo Presidenti i Shqipërisë. E kishte për t'u mbledhur më 18 Janar. Për shkak të Covid-19, u tërhoq. Mbledhja e radhës është më 1 Shkurt 2022, ora 10 e mëngjesit. Pra, Gjykata nuk ka folur, ndërsa Edi Rama urdhëron Grupin Parlamentar që të fillojë nga puna për zgjedhjen e presidentit të ri. Madje me afat. Brenda Prillit, shqiptarët meritojnë një President normal, thotë ai. Bile, bile, u sugjeron edhe seksin, si preferencë e tij, që mund të jetë edhe grua.
Jepini vetë shpjegimin se çfarë domethënie ka kjo fushatë përpara vendimit që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese. Ndaj mos prisni drejtësi të pavarur apo institucione të pavarura. Kur thotë një president normal, përdor logjikën e budallait, se presidentin anormal nuk e zgjodhën shqiptarët, por ai vetë. Ai dhe lali Eri, në drekën e famshe me ngjala. Pra, presidenti aktual nuk është vullnet i shqiptarëve, por i tij. Eshtë ai ekuivok kushtetues të cilin vullneti i shqiptarëve ka kohë që kërkon ta ndryshojë duke bërë të mundur që presidenti të zgjidhet me votë popullore, jo parlamentare. Ose të gjendet një rrugë e mesme ku emri të mos ketë të bëjë fare me politikën por me profilin e lartë social. Kështu mund të ofrojmë një garant kushtetues dhe jo një emër puro politik, që në mëngjes është normal dhe në darkë anormal.
Do ndryshuar Kushtetuta? Po, patjetër! Por partitë shqiptare nuk duan. E kanë si xhol të luajnë me presidentin. Po të kujtoheni, ka qënë gjithmonë një krizë parlamentare, deri sa u shëmb numri 84, me ndryshimin e Kushtetutës. Presidenti mund të zgjidhet tashmë edhe me një shumicë të thjeshtë. Gjithsesi ishte një ndryshim kushtetues për të ruajtur dhe fuqizuar po partitë politike, sidomos PS dhe PD dhe jo për të fuqizuar votën e shqiptarëve. Ndaj sot Shqipëria nuk ka më parti politike, por ka dy ndërrmarje shtetërore me drejtorë privatë. Ata vetëm urdhërojnë, ndërsa vota është një instrument formal dhe gjoja demokratik.
Se për mua, presidenti aktual duhej të ishte vetëshkarkuar, mbas premtimit që bëri për zgjedhjet e 25 Prillit, ku bëri një opozitë reale në raport me Lulzim Bashën. Tha që do fitojmë në mënyrë plebishitare dhe po nuk fituam unë dorëhiqem. Dhe nuk fitoi, kështu që duhej ta kishte dhënë dorëheqjen me kohë edhe për faktin se është pro zgjedhjes së presidentit nga shqiptarët dhe jo nga ndërrmarrjet politike shqiptare. Nuk e mbajti fjalën. Sipas tij ka bërë një betim kushtetues, ndërsa sipas meje ka bërë dhe po bën një luftë qokash në raportin dhe kontekstin e politikës së dështuar, tanimë, prej 31 vitesh në demokracinë tonë.
Dhe keqardhja është një konstatim fare i thjeshtë. Ndërrmarjet politike shqiptare hapin fronte pune për debate kombëtare, dëmet e tërmetit i riparon Turqia, dëmet e Covid-it Europa, kurse mbrojtjen territorial e bën NATO dhe magazinat e Amerikës. Eshtë kjo arsyeja që 40% e shqiptarëve janë sot në emigrim dhe s’është çudi që në 2030 kjo shifër mund të shkojë edhe 70%.
©Ilir Levonja












